Ermira Kaçaçi, nëna e 31-vjeçarit që goditi sot me grusht kreun e PD-së Sali Berisha është shprehur në një intervistë për Euronews Albania se djali i saj vuan nga probleme të shëndetit mendor.
Ajo iu bëri thirrje politikanëve që të mos e shfrytëzojnë këtë ngjarje si politike.
E ëma nënvizoi se djali i saj nuk është simpatizant i asnjë partie politike dhe i kërkoi ndjesë Sali Berishës për aktin që kreu sot djali saj.
“Fatkeqësia e djalit tij nuk dua të që të shfrytëzohet nga policia. Punonte si motorist, shpërndante pica. Nuk ka as shokë, as shoqe që merret me këto. Absolutisht nuk është përdorur. Problemet e tij ai i ka pasur të ndryshme. Absolutisht nuk kishte ndonjë simpati politike. As për të votuar nuk shkon. Unë nuk e di pse ka shkuar sot në protestë. I kërkoj ndjesë atij që i gjuajti, z. Berisha. Nuk dua që një parti politike të merret me hallet e tij. Më vjen shumë keq që merren me fatkeqësitë”, u shpreh e ëma.
Doktori i Gert Shehut: Raportin e kam lëshuar unë, ka sjellje agresive
Doktori i Gert Shehut, 31-vjeçarit që sulmoi Sali Berishën gjatë protestës së opozitës më 6 dhjetor, ka konfirmuar për Euronews Albania se ai është i sëmurë.
Ndërsa, kreu i PD-së ka akuzuar se raporti nuk është i vërtetë dhe sulmi është i organizuar nga Edi Rama, mjeku Sadik Lala pohoi se Gerti kurohej te ai dhe kishte rreth 2-3 muaj që nuk shkonte për vizitë.
Mjeku, emri i të cilit u bë me herët me dije në Euronews Albania nga nëna e 31-vjeçarit, tha se Gert Shehu shfaqte vazhdimisht sjellje agresive.
“Po raporti mjekësor është autentik, është lëshuar nga unë. Gert Shehu është trajtuar nga unë. Nuk ka qenë i rregullt në marrjen e mjekimeve dhe bënte sjellje agresive. Tek unë ka gati 2-3 muaj që s’ka ardhur për vizitë”, tha mjeku.