Mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur” ishim dëshmitarë të një propozimi për martesë midis dy të rinjve, Blerianit dhe Juelës.
E veçanta e këtij propozimi ishte se Bleriani kishte menduar t’i propozonte asaj duke i organizuar një lojë.
Ata ishin njohur para tre vitesh dhe menjëherë Bleriani ishte magjepsur pas Juelës.
Bleriani dëshironte që Juela të mos e harronte kurrë propozimin e martesës dhe për këtë arsye kishte kërkuar ndihmën e programit “Dua të të bëj të lumtur”, për të organizuar një lojë.
Pjesë e lojës ishte një aktore, e cila i rrëfeu Juelës se ajo dhe Bleriani kishin një lidhje prej gjashtë muajsh.
Pavarësisht se Anxhela solli edhe prova për lidhjen e tyre, Juela nuk e besoi.
Në një moment moderatorja e programit, Arbana Osmani i kërkoi Juelës që të largohej nga studio, pasi Anxhela kërkonte që të bisedonte vetëm me Blerianin.
Kur Juela u kthye në studio, Bleriani u ul në gjunjë dhe i tha: ”Më fal që të bëra të kalosh këtë, ti je gjithçka për mua. A do të martohesh me mua?”. Në fund program i dhuroi çiftit një udhëtim, destinacionin e të cilit do ta zgjidhnin ata vetë.