Rayan-i i vogël nuk ia doli. Vogëlushi 5-vjeçar, i cili ra në një pus në Marok ka ndërruar jetë, pasi u nxor në sipërfaqe nga ekipet e shpëtimit që kishin hyrë në tunelin e hapur për të arritur tek ai. Fëmija vdiq nga plagët e marra gjatë rënies. Ai ishte ngecur në një thellësi prej rreth 32 metrash për më shumë se 100 orë.
Fëmija u mor i mbështjellë me një batanije. Prindërit ishin shoqëruar në një ambulancë përpara se Rayan të dilte. Një helikopter ishte i pranishëm në vendngjarje për ta transportuar menjëherë në spital, por nuk kishte asgjë për të bërë.
Pas aksidentit tragjik, Mbreti Mohammed VI telefonoi prindërit e Rayan, Khaled Oram dhe Wassima Khersheesh, për t’u shprehur ngushëllime atyre. Mbreti vlerësoi edhe ekipet e shpëtimit ashtu edhe komunitetin lokal për përpjekjet e tyre të guximshme gjatë javës së kaluar.
Mesazhet mbështetëse u shpërndanë gjithashtu në internet pasi hashtag #SaveRayan ishte në trend në Twitter.
Presidenti francez Emmanuel Macron ishte vetëm njëri nga zërat në homazhet e dërguara, duke shkruar në një mesazh në Facebook të shtunën vonë: “Sonte, dua t’i them familjes së Rayanit të vogël dhe popullit maroken se ne ndajmë dhimbjen e tyre”.
Rayan u bllokua në një vrimë shumë të ngushtë dhe ekipet e kërkimit përdorën buldozerë për të gërmuar një kanal paralel.
Operacioni i shpëtimit u vështirësua nga rreziku i rrëshqitjeve të dheut që zgjatën kohën. Fëmija ishte arritur nga disa tuba për ta ushqyer dhe dhënë për të pirë, si dhe nga një aparat fotografik për të monitoruar shëndetin e tij.
Përpjekjet për të shpëtuar Rayan mbërthyen gjithë vendin. Me qindra njerëz u mblodhën pranë pusit, ndërsa më mijëra të tjerë luteshin në internet për shpëtimin e tij.
Edhe në rrjetet sociale, hashtagu #SaveRayan u përdor masivisht për të shprehur gëzimin. Por vetëm disa minuta më vonë, gjithçka u kthye në hidhërim për shkak të njoftimit për vdekjen e tij.