Një nga pesë të arrestuarit, pjesë e bandës që vidhte nëpër vila, ka treguar se si ka vepruar në punën e fundit që i ishte besuar përpara se të arrestohej.
21-vjeçari Dajvid Dosti tha: “Kapërceva murin e shtëpisë dhe hyra në oborrin e banesës. Mora drejtimin për nga dera e ballkonit të kësaj banese, e cila ishte e hapur fare. Hyra brenda dhe kontrollova nëpër shtëpi, ku nuk kishte asnjë banor të saj. Pasi kontrollova te njëra nga dhomat e gjumit të katit të parë, gjeta një kasafortë e cila ishte e mbyllur. E hapa me kaçavidën dhe krikon që kisha me vete në çantë. Gjatë gjithë kësaj kohe që qëndrova në banesë, rreth një orë, kam komunikuar me radio marrëse-dhënëse. Kasaforta ishte me kod dhe qëndrova rreth një orë për ta hapur”.
Sipas tij, në kasafortë kishte një shumë të konsiderueshme parash, të cilat ishin në euro. I riu ka marrë rreth 4 pako me euro, gjithashtu edhe disa bizhuteri të cilat ishin në kuti të ndara. Përveç këtyre, ka vjedhur edhe një celular Samsung, iPad dhe një PlayStation.
Më pas, ka dalë nga banesa dhe ka marë drejtimin për të dalë andej nga hyri, pra duke kapërcyer murin rrethues. Pasi ka kapërcyer murin ka shkuar në drejtim të disa taksive dhe gjatë kësaj kohe është arrestuar nga policia.
Në dëshminë e tij, Dajvid Dosti ka treguar edhe si është njohur me Dorjan Lamanin (Qirjazin) dhe të tjerët, dhe si e kanë përfshirë në këtë grabitje. Dosti tregon se më 10 prill, Lamani e ka marrë në telefon për t’i thënë që të shkonte në Tiranë pasi i duhej ndihma e tij për të lëvizur plaçkat, sepse do të ndryshonte shtëpi. Aty është njohur edhe me bashkëshorten dhe nënën e Lamanit.
Dy ditë më vonë, më 12 prill, Lamani (Qirjazi) e ka marrë në telefon dhe pasi janë takuar i ka propozuar për të realizuar grabitjen. “Më tha që ishte një punë dhe nëse unë e bëja dot ose jo. Më tha se ishte një shtëpi te “TEG”-u dhe se do ta vjedhim. Unë i thashë se “do ta bëj”, ai më tha “ok”. Gjatë kësaj kohe nëpërmjet telefonit të tij i ka treguar banesën që do të vidhnim”, thuhet në dëshminë që Dosti ka dhënë për prokurorin e çështjes.
Dosti gjithashtu tregon se Lamani (Qirjazi) i ka thënë se nuk do të dilte bosh prej asaj banese, dhe kanë diskutuar edhe për mënyrën sesi do të ndanin atë që do të grabisnin. “Me Dorjanin e lamë që, pasi të vidhja banesën, do të takoheshim te shtëpia e tij në zonën e Astirit për të ndarë lekët”.
Rreth orës 12:30, kanë dalë së bashku nga kafja dhe pranë tyre është afruar një makinë tip “Ford”, ngjyrë blu. Dorjani i ka thënë që personat që ishin në makinë ishin shokët e tij dhe se do e çonin në vendin ku do të bënte vjedhjen e banesën. “Dorjani nuk ka ardhur me ne, ai do të vinte më pas”, tregon Dosti.
Ka hipur në mjetin tip “Ford” dhe nga “Astiri” janë drejtuar për në drejtim të Qendrës Tregtare “TEG”. Pasi ka arritur atje, ka përdorur Google Maps për të gjetur shtëpinë të cilën do të grabiste.