Gazetarja e ABC, Xhensila Kodra ka zbuluar dinamikën e operacionit të arrestimit të efektivit të RENEA-s Xhuljo Liçi ditën e sotme së bashku me dy bashkëpunëtorë të tij me mbi një kg kokainë.
I arrestuari i dytë është Ded Nimani nga Puka, që kishte më pak se një vit që kishte dalë nga burgu, i dënuar për drogë. Ndërsa i treti është Luan Gaci. Të tre të arrestuarit akuzohen për prodhim dhe shitje narkotike e kryer në bashkëpunim
Por si u kapën?
Rreth orës e 11:12 minuta të ditës së sotme në aksin rrugor Tiranë-Durrës në rrugën e vjetër në Ndroq, në ambientet e jashtme të një lokali, policia gjeti të parkuar automjetin “Benz” me targa AA463TO.
Automjeti drejtohej nga Luan Gaci dhe po në këtë vend afrohet dhe parkohet automjeti tjetër po “Benz” me targa AB 892 BZ ku ndodheshin 2 persona, drejtues ishte Xhuljo Liçi dhe pasagjer ishte Ded Ninami.
Këta dy të fundit dalin nga automjeti duke shkuar tek bagazhi i makinës së tyre. Në atë moment u afrohet edhe Luan Gaci, të tre personat hapin bagazhin e makinës dhe Xhuljo Lici nxjerr një pako në formë drejtkëndore e mbështjellë me plastmas transparent dhe brenda saj dyshohej të kishte lëndë narkotike të llojit kokainë të cilën po e mbante në dorë në prezencë të Nimanit dhe Gacit duke biseduar me ta.
Pikërisht në këtë moment është bërë ndërhyrja nga ana e policisë dhe Liçi ka hedhur pakon në tokë. Pakoja me drogë kishte mbishkrimin “Baron” për këtë arsye operacioni i policisë u kodua me këtë emër.