Kryesore “E kalon kohë banaqeve, gjysmë i dehur”, Meta njofton konferencë pas deklaratës...

“E kalon kohë banaqeve, gjysmë i dehur”, Meta njofton konferencë pas deklaratës së Veliajt

Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi ka reaguar në lidhje me një deklaratë që bëri sot kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, pak para nisjes së Kongresit të Partisë Socialiste.

Veliaj u shpreh se vendit i duhet një figurë që shëron plagë dhe jo një president që kalon banaqeve dhe gjysmë i dehur.

Blushi tha se Veliaj po përdoret si “qen sulmi” nga “brigadieri” i Organizatës kriminale të inceneratorëve, duke iu referuar kryeministrit Rama. Blushi thotë se ata e urrejnë presidentin Ilir Meta, sepse ai ka denoncuar aferat korruptive të kësaj qeverie.

“Organizata Kriminale e inceneratorëve përmes një keqbërësi të interesit publik, që përdoret si qen sulmi nga Brigadieri i kësaj organizate sulmoi sot figurën e Presidentit të Republikës me shpifje të denja për një rrugaç.

Të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë i dinë mirë arsyet se përse Organizata Kriminale e inceneratorëve dhe të gjithë kriminalizimit të shtetit e shoqërisë e urren Presidentin Meta si denoncuesin e palëkundur, bazuar mbi fakte publike dhe transparente, jo vetëm të aferës makabre të inceneratorëve, por edhe të shumë koncesioneve të tjera korruptive.”- shkruan Blushi.

Zëdhënësi i presidentit shkruan se si përgjigje, Meta sot pasdite do të dalë në një Konferencë për Mediet.

“Presidenti i Republikës ndonëse kishte vendosur edhe në respekt të Kongresit të PS të mos bënte asnjë postim apo dalje mediatike, pas shpifjeve të programuara nga organizata e incineratorëve kundër Kreut të Shtetit, në respekt të të gjithë qytetarëve, por edhe të delegatëve të Kongresit të PS sot pasdite do të mbajë një konferencë shtypi.”– shkruan Blushi.

Çfarë tha Veliaj?

Para punimeve të Kongresit socialist, Veliaj foli në një intervistë për “News 24” për karakteristikat që duhet të ketë presidenti i ri. Ai u shpreh se presidenti aktual Ilir Meta kalon kohë banaqeve, gjysmë i dehur, duke i shpallur luftë Amerikës. Dhe sipas tij duhet dikush që i shëron këto plagë.

“Secilit i është propozuar që të japë tre emra. Besoj se do të duhet të shkëputemi nga një situatë ku ne kemi tani një president qe shihet në publik si stërkëmbëshi kryesor i qeverisë. Bllokohen dekretet, bllokohen ambasadorët. Si përfaqësues i qytetit, si kryetar bashkie, më qëllon që të jem shumë në forume ndërkombëtare dhe shumë veta thonë: a ka diçka që nuk shkon me Shqipërinë, që janë ende ne detyre ambasadorët nga 6, 7, 8 vjet? Fakti që janë krijuar ngërçe të tilla, nuk e ndihmon vendin. Fakti që njerëzit janë përçarë në këto 5 vitet e fundit, ndërkohë që duhet të ishte simbol i bashkimit nuk e ndihmon vendin. Fakti që kemi krijuar konflikte të panevojshme, sidomos me SHBA, me armiq imagjinarë, me dronë dhe çudira, nuk e ndihmon vendin. Kështu që, në mendjen time, një president apo presidente e mirë – se nuk do e përjashtoja që ka ardhur koha edhe për një presidente zonje – do të ishte dikush diametralisht i kundërt me atë aktualin.

Në qoftë se Ilir Meta kalon kohë banaqeve, gjysmë i dehur, duke i shpallur luftë Amerikës, na duhet dikush që i shëron këto plagë dhe ne sillemi si një shtet serioz. Ne nuk mund të jemi aleat kryesorë në nivel kryeministri dhe pastaj, armiq në nivel presidenti. Kjo nuk mund të ndodhë sepse në një vend serioz ka një linjë që ndiqet në një marrëdhënie dhe në një raport special. Çdo president burrë apo grua, që është diametralisht i kundërt me këto lloj anomalish, do e sillte në normalitet edhe institucionin që kemi në anën tjetër të bulevardit.”- tha Veliaj.