Vetëdorëzohet në polici 45-vjeçari, Lulzim Cuku, i cili vrau me thikë në banesën e tyre në Xhafzotaj, bashkëshorten Manjolën, 12 vjet më të vogël.
Ai duket se kishte udhëtuar drejt vendlindjes dhe është dorëzuar në komisariatin e policisë së Burrelit.
“Nga shërbimet policore u ushtrua kontroll në shumë objekte e ndërtesa ku dyshohej se mund të fshihej autori. Autori i dyshuar i ngjarjes, shtetasi Lulzim Cuku, si pasojë e trysnisë së Policisë është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Burrel. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës po mbërrijnë në Komisariatin e Policisë Burrel për të shoqëruar autorin në DVP Durrës për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth mesnatës, në sy të tre fëmijëve të mitur të çiftit Cuku.
Burimet thanë se në rrethanat e një debati, 45-vjeçari ka sulmuar dhe qëlluar disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit gruan.
Ishin fqinjët ata që dëgjuan ulërimat e gruas dhe njoftuan policinë.
Por kur blutë erdhën në shtëpinë e familjes Cuku, ishte shumë vonë. Gruaja kishte ndërruar jetë në vend si pasojë e plagëve të rënda që kishte marrë.
Motivet e krimit makabër janë ende të paqarta edhe për grupin hetimor. Por dyshimet janë për xhelozi.
Pas krimit, Lulzim Cuku ishte larguar nga banesa, për tu vetëdorëzuar vetëm mesditën e sotme.
45-vjeçari punonte si emigrant në Greqi, ndërsa gruaja shtëpiake.