4 vajza janë vënë në pranga në Tiranë si pasojë e një operacioni policor. Sipas asaj që njoftojnë uniformat blu, ato kishin përshtatur një qendër masazhesh për veprimtarinë e prostitucionit. Mes të arrestuarave është edhe administratorja e qendrës së masazheve.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Inside”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetaseve: Xh. K., 28 vjeçe, B. K., 23 vjeçe, A. P., 21 vjeçe dhe A. K., 26 vjeçe, të gjitha banuese në Tiranë. Shtetasja Xh. K. administronte një qendër masazhesh, në rrugën “Margarita Tutulani”, në të cilën, përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtrohej edhe aktiviteti i kundërligjshëm i prostitucionit”, njoftoi policia.
Uniformat blu kanë proceduar në gjendje të lirë edhe një 31-vjeçare, punonjëse në qendrën e masazheve. Po ashtu, janë proceduar në gjendje të lirë edhe 4 klientë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 6 aparate celulare, shumat 351.000 Lekë të rinj dhe 550 Euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.