GJKKO ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest shtëpie për gjyqtaren Mimoza Margjeka, e cila po hetohet nga SPAK se ka marrë ryshfet 6 mijë euro.
Pas daljes nga ambientet e gjykatës, gjyqtarja e pezulluar nga detyra dhe nën hetim ka bërë deklarata të forta duke akuzuar shtetin. Në prononcimin për gazetarët, gjyqtarja Margjeka ka përmendur rastin e kapjes së 8 tonëve kanabis pak vite më parë, rast për të cilin tha se policët e kufirit të përfshirë janë lënë të lirë.
Nuk kanë munguar as përplasjet e saj me policinë, të cilët pas seancës kërkonin ta shoqëronin për ta dërguar në banesë për shkak të masës së sigurisë “arrest shtëpie”.
Ndërsa gjyqtarja Margjeka ka refuzuar që të largohet pa përfunduar deklaratën e saj për gazetarët. Ndërsa procesin penal ndaj saj e ka konsideruar si të montuar dhe se në dosje nuk ka asnjë provë.
Mimoza Margjeka: Ky shtet nuk bëhet më mor zotëri. Kush është goditur? Kush është futur në burg? Vetëm ata që i kanë dalë përballë shtetit. Mos më prek..nuk ju heq kush nga puna, mos kini frikë ore se s’bëhet shteti me mashtrime (u drejtohet policëve). S’ka asnjë provë, kërkova median në proces, nuk u lejua. Gjyqtarët janë të frikësuar, e kanë bërë gjyqin të mbyllur. Le të varroset familja ime. Ore na keni hequr të drejtën e fjalës.
Margjeka përsëriti se nëse do të ishte gjyqtare e Durrësit, sërish nuk do t’i jepte mandatin për Bashkinë e Durrësit ish-kryebashkiakes Valbona Sako pas zgjedhjeve të vitit 2019.
“Nuk e meritonin mandatin, ishte mashtrim. Shtet kriminal, mafioz, kriminal, shteti i korruptuar”.
Përpara nisjes së seancës, Mimoza Margjeka foli sërish për gazetarët, duke thënë se procesi gjyqësor ndaj saj është goditje që i bëhet për shkak se nuk i dha mandatin Bashkisë së Durrësit në zgjedhjet vendore të vitit 2019.
“Unë dyshoj që është tendencë. Kanë goditur reputacionin tim, kam punuar për këtë punë. Jam i vetmi gjyqtar që s’i kam dhënë mandatin një bashkie, nuk ishin zgjedhje ato, ishin nul. Po të ishin dhe gjyqtarët e tjerë si unë askush nuk i çonte në burg familjarisht, nuk ka prova”, u shpreh më herët gjatë mëngjesit të së enjtes gjyqtarja Margjeka.
Mimoza Margjeka, ish-gjyqtare e Durrësit, votoi kundër rezultatit të zgjedhjeve vendore në vitin 2019, duke refuzuar t’i jepte mandatin Valbona Sakos, ish-kryebashkiakes së Durrësit.
Mimoza Margjeka po hetohet për një skemë korrupsioni si gjyqtare e Korçës, pasi bashkëshorti saj akuzohet se ka marrë ryshfet një shumë prej 6 mijë Euro për të ndryshuar një vendim. SPAK ka dokumentuar se Gjyqtarja e Apelit në Korçë, Mimoza Margjeka, ka ndryshuar masën e sigurisë nga arrest me burg në garanci pasurore për një person të arrestuar, menjëherë sapo bashkëshorti i saj ka marrë shumën prej 6 mijë Euro.