Si lindi dhe çfarë është teoria konspirative që tashmë është futur në jetën amerikane, por edhe brenda Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara
Që prej daljes së parë tri vite më parë, teoria konspirative e quajtur “QAnon” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka “lundruar” në cepat më të errët të internetit. Por tani, ndjekësit e grupit, të cilën e quajnë veten “besimtarët”, kanë arritur të dalin në dritë në rrjetet sociale, por edhe brenda Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara.
“QAnon” nisi si një teori e vetme konspirative, por ndjekësit tani sillen sikur janë pjesë e një sekti virutal, duke besuar thuajse çdo informacion të pasaktë dhe teori konspirative që del.
Teoria më e madhe konspirative në të cilën bazohet lëvizja është se një numër i madh politikanësh dhe personazhe të famshëm të botës së spektaklit bashkëpunojnë me qeveritë në të gjithë botën dhe kanë organizuar një rrjet të abuzimit me fëmijët. Ndjekësit besojnë se gjithashtu ky grup është pjesë e përpjekjeve për të eliminuar presidentin Donald Trump.
Përveç kësaj, ndjekësit kanë nisur të besojnë edhe shumë pretendime të tjera të përhapura në rrjet, si ai që teknologjia 5G ndihmon në përhapjen e koronavirusit, edhe pse nuk ka asnjë fakt shkencor që të mbështesë këtë pretendim.
Slogani më popullor i “QAnon” është “ngri dyshime për gjithçka”. Gjithkush mund të krijojë një konspiracion, të japë disa prova për të dhe të vendosë hastagun #QAnon në rrjetet sociale për ta shpërndarë. Megjithatë, askush nuk mban përgjegjësi nëse ky informacion është i pavërtetë dhe reagimet qe sjell.
Si lindi “QAnon”?
Gjithçka nisi me një postim të kriptuar, anonim, të postuar më 28 tetor 2017 në 4chan, një rrjet social për mesazhe ku shpesh ka komente ekstremiste dhe raciste. Personi që e postoi, të cilin ndjekësit më pas do ta emërtonin “Q”, shkruante se Hillary Clinton do të arrestohej.
Arrestim nuk pati, por postime të ngjashme, dhe pretendime për “deep state” në SHBA vijuan të shfaqeshin në 4chan, gjithmonë me postuesit që mbeteshin anonimë. Besimtarët mendojnë që “Q” ka kaq shumë informacion për shkak se ka akses brenda qeverisë amerikane.
Grupi “QAnon” është futur që prej asaj kohe edhe në rrjete të tjera sociale, si Reddit dhe gjithashtu ka gjetur mënyra për t’u infiltruar në Facebook, Twitter dhe YouTube. Në vitin 2018, në disa video të postuara në YouTube, sulmohej kompania meksikane e çimentos, Cemex, pasi akuzohej se kishte në pronësi një kamp të braktisur në Arizona, në të cilin konspiracionistët pretendonin se kryhej trafikimi i qenieve njerëzore.
Në fillim të vitit 2020, personazhe si Oprah Winfrey dhe Tom Hanks, thanë se të dy ishin shënjestruar nga konspiracionistët. Besimtarët pretendonin se një shtëpi e prezantueses në Florida ishte bastisur nga policia gjatë një operacioni kundër trafikimit të fëmijëve. Ndërsa gjatë kohës që Tom Hanks ishte në izolim në Australi pasi rezultoi pozitiv me koronavirus, ata thoshin që në fakt ai ishte arrestuar për pedofili.
“QAnon” brenda Partisë Republikane
“QAnon” për pak sa nuk kapi podiumin gjatë një tubimi të Presidentit Trump më 31 korrik 2018, ku postera me mbishkrimin “Ne jemi Q” dhe “Q” u shfaqën para publikut gjatë fjalimit të presidentit. Katër muaj më vonë, zëvendëspresidenti Pence postoi – e më pas fshiu – një foto në Twitter ku një efektiv policie kishte një stemë “QAnon” mbi uniformë.
Në korrik 2019, në Shtëpinë e Bardhë ishte i ftuar edhe një mbështetës i “QAnon”, si pjesë e një “samiti mbi rrjetet sociale” ndërsa disa kandidatë republikanë për poste të larta shtetërore, në kongres dhe senat, kanë shprehur mbështetje për idetë e “QAnon”.