“Pranvera“, partia e re e majtë në Poloni kërkon të kthehet në alternativë ndaj nacional-konservatorëve PiS dhe liberalëve për zgjedhjet europiane. Disa kritikë mendojnë se kjo mund të çojë në forcimin e PiS.
“Pranvera“, partia e re e majtë në Poloni kërkon të kthehet për zgjedhjet europiane në një alternativë për nacional-konservatorët PiS dhe për opozitën liberale. Disa kritikë në Poloni mendojnë se kjo mund të çojë vetëm në forcimin e PiS.
Politikani i majtë Robert Biedron, e ka bërë të ditur para disa muajsh se do të formojë një parti të re dhe e ka shfrytëzuar kohën tani së fundmi për të udhëtuar në Poloni dhe për të dëgjuar çfarë kanë njerëzit për të thënë. Ai është shfaqur në mitingje si magjistar: “Mbylli sytë dhe mendo si do të doje të ishte Polonia“, i thotë ai ithtarëve të tij dhe i ka bërë ata që të shkruajnë në copëza letre, ëndërrta e tyre. Nga lista e dëshirave ai donte të nxirrte programin për partinë e ardhshme, për tu bërë kryeministri i ardhshëm i Polonisë.
Vakum në kampin e majtë
Biedron nuk është risi në politikë. Politologu që vjen nga jugu i Polonisë, që është shumë konservatore ka qenë ekspert për të drejtat e njeriut në organizata ndërkombëtare dhe deputeti i parë polak, që ka bërë publik homoseksualitetin. Gjatë kohës që ka qenë kryear bashkie në qytetin Slupsk, që ndodhet në Poloninë veriore, ai arriti që ta nxirrte qytetin nga borxhet.
E famshme u bë kolltuku i kuq, që ai e nxorri në rrugët e Slupskit dhe ftonte aty qytetarët në bisedë. Mënyra e hapur e të sjellurit me homoseksualitetin e tij ka qenë shokuese për shumë vetë, por për shumë të tjerë ajo ka qenë dëshmi e guximit dhe e bëri atë më të besueshëm.
Me partinë e re, “Pranvera“, Biedron përpiqet të mbyllë një boshllëk në krahun e majtë të spektrit politik. Axhenda sociale, që tradicionalisht i takon repertorit të majtë, ka kohë që përdoret nga nacional- konservatorët e PiS, në retorikë dhe në program. Asnjë nga grupet e vogla të majta nuk është tani e përfaqësuar në parlamentin polak.
Në disa prej tyre pengesë është ende e kaluara komuniste kurse të tjerat nuk arrijnë të çajnë me parrullat e tyre radikale, në politikën polake që është më shumë konservatore se liberale.
Kundër pushtetit të kishës
Por Biedroni është duke guxuar tani. Ai do që me partinë e tij “të renovojë rivierën politike“, tha ai të dielën para 7000 simpatizantëve të mbledhur në një stadium të Varshavës. Kolonat e sistemit të tij janë “njeriu, shoqëria, shteti i besueshëm“. Ai kërkon që shpenzimet për kishën, mes tyre edhe ato që mblidhen, t’i jepen shtetit dhe në shkolla të hiqet mësimi i fesë. “Ne nuk duam më të gjunjëzohemi para ipeshkëve,“ tha Biedron duke marrë duartrokitje me atë që tha.
Ai nuk do që njerëzit të presin më shumë se 30 ditë për të marrë një orar tek mjeku specialist, çdo komunë duhet të sigurojë transportin publik dhe pensioni minimal nuk duhet të jetë më pak se 400 euro. Përveç kësaj Biedron është për zbutjen e ligjit restriktiv për abortet dhe të drejtë aborti deri në javën e 12 të shtatzanisë. Ai kërkon, që në shkolla të jepet mësim për seksin dhe do që të legalizohet martesa midis të njëjtës gjini.
Në axhendën e tij bën pjesë edhe dhënia e llogarisë së atyre që “kanë shkelur themelet e shtetit juridik,“ të cilët ai do i dërgojë para një gjykate shtetërore. Me këtë ai ka parasysh qeveritarët, që megjithë kritikat nga Brukseli dhe megjithë proceset e shtetit juridik të BE, mundohen të venë në jetë reformën e tyre të sistemit të drejtësisë, që është shumë e diskutueshme. Radios dhe televizionit, mendon Biedron, i duhet hequr kontrolli qeveritar. “Duhet të marrë fund patologjia në mediat publike, ne do ia marrim politikanëve lodrat nga duart,“ bëri ai të ditur para krijimit të partisë.
Të krijosh një parti të re, tre muaj para zgjedhjeve europiane, mund të duket si momenti i duhur. Shanset e Biedronit mund të rrisin favorizimin e zgjedhëse. Muaj para krijimit të partisë, ai dhe grupimi që nuk ishte krijuar ende morën dhjetë përqind të rezultatit në sondazhe.
Ai mund të zgjerojë tani bazën e zgjedhësve. Strukturat janë ngritur. Ai përkrahet nga mijëra vullnetarë, ka gjashtë koordinatorë rajonalë dhe disa përgjegjës për rrethet vendore. Çdo gjë financohet nga donatorët, thotë Biedron.
Rrezik për liberalët
Në retorikën e tij, Biedron mbron ndarjen midis institucioneve politike dhe qytetarëve të thjeshtë, interesat e të cilëve ai kërkon të mbrojë. Ai kritikon polarizimin politik të Polonisë, kërkon t‘ i japë fund “luftës polako –polake“ midis nacional- konservatorëve dhe liberalëve.
Për të liberalët, mes të cilëve edhe partia më e madhe opozitare Platforma qytetare (PO), nuk paraqet alternativë ndaj PiS, sepse të dy palët luftojnë njëri tjetrin në vend që të kenë programe. Ato janë dy anë të së njëjtës medalje. Lufta midis partive të mëdha nuk është “lufta e tij“, prandaj ai ka zgjedhur rrugën e vet. Lufta e tij nuk është vetëm kundër nacional-konservatorëve PiS, por edhe kundër opozitës liberale.
Kjo vetë është e zhgënjyer sepse tani para zgjedhjeve europiane dhe disa muaj para zgjedhjeve parlamentare polake, ajo kërkon të krijojë një front të përbashkët kundër PiS. Nëse Biedron fiton zgjedhës liberalë të majtë, ai dobëson kështu partinë liberale, thonë analistët. Në këtë mënyrë opozita do të përçahej edhe më shumë dhe prej kësaj përfiton vetëm PiS, e cila ndodhet e para në të gjitha sondazhet./DW