Tre persona janë arrestuar në Fier pasi dyshohet se kishin marrë peng dhe kishin detyruar një 24 vjeçare të ushtronte prostitucion kundër dëshirës së saj.
Në kërkim u shpall organizatori i veprimtarisë që kishte bashkëpunuar me tre të arrestuarat.
Policia sot ka zbardhur hetimet në lidhje me arrestimet dhe si funksiononte skema e prostitucionit.
“Bazuar në provat e siguruara nga hetimi proaktiv dymujor, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Imponimi”, në kuadër të të cilit u bë ndalimi për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”, i shtetaseve:
-P. I., 32 vjeçe, banuese në Patos, A. T., 19 vjeçe, banuese në Fier dhe i një 17-vjeçareje banuese në Fier. 32-vjeçarja ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast, u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit A. M., 33 vjeç, banues në Fier, organizator i kësaj veprimtarie kriminale (i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë).
33-vjeçari, në bashkëpunim me 3 shtetaset e ndaluara, i kanë hequr lirinë, nëpërmjet kërcënimit dhe dhunës, një 24-vjeçareje dhe e kanë shfrytëzuar atë për prostitucion, në banesa me qira dhe hotele të ndryshme në qytetin e Fierit.
Vijon puna për kapjen dhe vënien para drejtësisë të 33-vjeçarit, organizator i kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast,” njoftoi policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.