Tashmë është me të vërtetë e mundur të hysh në ëndrrat e një personi dhe të vendosësh një dialog me ta, kështu tregon një eksperiment i kryer nga katër grupe të pavarura kërkimore në SHBA, Francë, Gjermani dhe Holandë.
Rezultatet, të botuara në revistën “Current Biology”, hapin një dritare të papritur në botën e ëndrrave, që mund të shfrytëzohet për të zgjidhur problemet psikologjike dhe për të kuptuar më mirë marrëdhëniet midis gjumit dhe kujtesës.
Studimi u mbështet mbi 36 vullnetarë.
Midis pjesëmarrësve, disa ishin “ëndërrimtarë të kthjellët”, domethënë persona që ishin të vetëdijshëm për ëndrrat e tyre, aq shumë sa ishin në gjendje t’i kontrollonin ato, ndërsa vullnetarët e tjerë u trajnuan për t’u bërë të tillë.
Aktiviteti i tyre i trurit u regjistrua gjatë gjumit në EEG, ndërsa lëvizjet e syve dhe kontraktimet e muskujve të fytyrës, të gjithë treguesit e fazës REM, u monitoruan.
Në katër laboratorët, u testuan metoda të ndryshme për të kontaktuar me personin e zhytur në ëndërr (përmes zërit, stimujve të dritës ose kontaktit fizik), në mënyrë që t’u kërkohej atyre të ndiqnin udhëzimet, të bënin llogaritjet e thjeshta numerike ose të njihnin ndryshimin midis stimuj të ndryshëm ndijorë.
“Është si të gjesh një mënyrë për të komunikuar me një astronaut në një planet tjetër, edhe nëse në rastin tonë planeti bazohet tërësisht në kujtimet e ruajtura në tru”, shpjegojnë studiuesit.
Në përgjithësi, ishin 158 pyetje që studiuesit u bënë ëndërrimtarëve: ata u përgjigjën saktë (përmes lëvizjes së syve ose tkurrjes së muskujve të fytyrës) në 18% të rasteve, ndërsa gabuan në 3% të tyre; përgjigjja nuk ishte e qartë në 17% të rasteve, ndërsa 60% e pyetjeve mbetën pa përgjigje.
Sipas studiuesve, këta numra tregojnë se komunikimi i dyanshëm është i mundur, edhe nëse nuk është i lehtë.