Astronomët janë habitur nga një planet i ri dhe i çuditshëm i cili është shumë pranë yllit të tij saqë atmosfera i shpërbëhet dhe orbita i ndryshon në mënyrë të paparashikueshme.
AU Microscopii b (AU Mic b) po tregon shenja të qarta të humbjes së atmosferës së tij të përbërë nga hidrogjeni, e cila largohet me shtëllunga nga pjesa e përparme e planetit, janë shprehur shkencëtarët e Qendrës së Fluturimit Hapësinor Goddard, një degë e NASA-s.
“Nuk kemi parë kurrë që shpërbërja atmosferikë të kalojë nga e padukshme në plotësisht e dukshme brenda një kohe kaq të shkurtër kur planeti zhvendoset përpara yllit të tij. Prisnim të ishte diçka e parashikueshme, e përsëritshme. Por është e çuditshme”, u shpreh Keighley Rockcliffe.
AU Mic b është planeti më i brendshëm i këtij sistemi dhe është zbuluar në vitin 2020 nga teleskopët Spitzer dhe TESS të NASA-s. Ky planet është një masë gjigande gazi rreth 4 herë më e madhe se Toka.
Planeti ndodhet 32 vite dritë larg Tokës dhe ka “ndryshime ekstreme” të orbitave rreth yllit të tij që është më shumë se 100 milionë vjeçar.
Planetët që formohen brenda 100 milionë viteve të lindjes së një ylli kanë më shumë gjasa të kalojnë në shpërbërje të atmosferës që mund të rezultojë edhe në zhdukjen e plotë të saj.