Janë luajtur vetëm 4 javët e para në Serie A, por drejtuesit e Romës nuk kanë pritur më gjatë dhe kanë shkarkuar trajnerin Daniele De Rossi për shkak të rezultateve të dobëta.
Roma ka marrë vetëm 3 pikë në këto javë, duke barazuar në 3 takime, ndërsa ka humbur një tjetër. Ndeshja e fundit e verdhekuqve ishte në transfertë ndaj Genoa-s, e cila u mbyll në barazim 1-1.
Klubi e zyrtarizoi shkarkimin me anë të një njoftimi për mediat: “AS Roma njofton se ka liruar Daniele De Rossin nga roli i trajnerit të ekipit të parë.
Vendimi i Klubit është marrë në interes të skuadrës, në mënyrë që të mund të rifillojë sa më shpejt rrugën e dëshiruar, në një kohë kur sezoni është ende në fillimin e tij.
Për Danielen, i cili do të jetë gjithmonë në shtëpi në klubin verdhekuq, një falënderim të përzemërt për punën e kryer muajt e fundit me pasion dhe përkushtim. Do të vijojnë komunikimet mbi udhëheqjen teknike të ekipit”, thuhet në njoftimin e klubit që zyrtarizon shkarkimin.