Një tjetër krim në familje që ka rezultuar fatal ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte.
Gruaja e gjetur e vdekur në banesën e saj në fshatin Vagalat në Memaliaj, Antoneta Hoxha, është vrarë nga bashkëshorti i saj, Skënder Hoxha dhe këtë fakt bashkëshorti e ka pranuar pas disa orësh marrje në pyetje.
Nga detajet që hetuesit kanë nxjerrë mësohet se ngjarja ka ndodhur në dhomën e gjumit të çiftit dhe shkak ka qenë një grindje, arsye e së cilës ende nuk është bërë publike.
Sipas rrëfimit të Skënder Hoxhës, në momentin që e ka goditur për herë të parë, gruaja ka qenë me shpinë dhe më pas kur është kthyer e ka qëlluar edhe një herë tjetër në krahun e majtë.
“E vrava unë, e qëllova me levën e kazanit të rakisë”, ka thënë ai në polici.
Mirëpo rrëfimi është bërë më i rëndë akoma në momentin që bashkëshorti ka rrëfyer se 53-vjeçarja ka qenë ende gjallë dhe i ka kërkuar ndihmë, por ai nuk ia kishte dhënë.
“Ajo ishte gjallë, kërkoi ndihmë, unë e kisha qëlluar, por nuk e ndihmova”, mësohet të ketë thënë në hetuesi Skënder Hoxha.
Çifti ka katër fëmijë, tre vajza dhe një djalë.
Këtë vit Shqipëria është tronditur disa herë nga krimet brenda familjes nga Tirana në Ballsh dhe Vlorë.