Aktualitet E rëndë në Tiranë/ Fëmija 3 vjeç humb jetën pas mjekimit te...

E rëndë në Tiranë/ Fëmija 3 vjeç humb jetën pas mjekimit te dentisti, prindërit denoncojnë: Mbidozë narkoze

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Tiranë, ku një 3-vjeçar ka ndërruar jetë pas vizitës te një dentisti. Ngjarja ka ndodhur 3 ditë më parë.

Kanë qenë prindërit e vogëlushit që kanë denoncuar rastin në polici. Ata akuzojnë një klinikë private në rrugën e Kavajës, ku e kishin dërguar djalin për disa ndërhyrje te dhëmbët.

Sipas dëshmisë së prindërve, djalit i është bërë anestezi totale dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave, kanë marrë fëmijën dhe janë larguar drejt banesës. Por pas disa orësh, 3-vjeçari është ndjerë keq.

Prindërit të gjendur në këto kushte, kanë telefonuar klinikën, ku nuk i është përgjigjur askush në telefon dhe më pas e kanë transportuar me urgjencë në Pediatrinë e QSUT-së. Por gjendja e fëmijës është përkeqësuar, ai ka qëndruar dy ditë në reanimacion, ku edhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Ndërkohë, policia ka proceduar mjekun.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin R. Xh., 70 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, pasi ka bërë kallëzim shtetasi B. S. se shtetasi R. Xh. ka mjekuar në mënyrë të pakujdesshme në klinikën e tij private, djalin 3-vjeçar të shtetasit B. S., i cili pas mjekimit në këtë klinikë ka shfaqur komplikacione dhe pas 3 ditësh, ka humbur jetën, në spital”, thuhet në njoftimin e policisë.