Është denoncuar një rast i pazakontë në komisariatin e policisë së Shijakut ditën e djeshme.
Një burrë është paraqitur në ambientet e policisë, për të marrë urdhër mbrojtjeje për shkak të dhunës sistematike që ushtronte gruaja ndaj tij.
“Më datë 08.06.2017, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e Urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasin A.T, vjeç 48, banues në Shijak, pasi dyshohet se bashkëshortja D.T, vjeç 38 ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj tij,” shkruhet në njoftimin e policisë.
Materialet iu kaluan Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare.