Libri i parë i Lulzim Bashës “Misioni im” është shkruar gjatë dy muajve të karantinës dhe si frymëzim ishin disa autorë që kryedemokrati lexoi gjatë kohës së pandemisë.
“29 vite më parë isha atje në shesh, bashkë me disa nga shokët e klasës. Çfarë ndodhi, si ndodhi, sigurisht që të përmbledhur, sepse ndryshe nuk do të mjaftonte ky tekst. Ajo që më ka ndihmuar t’i hedh këto rreshta ka qenë pandemia dhe natyrisht dy muajt e karantinës. Teksa shfletoja disa autorë, u ngacmova për të hedhur disa rreshta. Doja të thosha që gjithçka që ka ndodhur pas gushtit është një rishikimi i një teksti që natyrisht kishte nevojë për rishikim, por që në fakt është produkt i këtyre muajve, mars, prill e maj”, tha Basha gjatë një bashkëbisedimi me studentët, ndërsa prezantoi edhe librin e tij, që vjen 1 muaj para ditës së zgjedhjeve.
Ai tregoi se një nga arsyet që vendosi të mos ndalojë karrierën e tij në politikë ishte dhe një bisedë me Aurelën, bashkëshorten e tij, me të cilën fillimisht ishin shok-shoqe gjimnazi.
“Kemi qenë bashkë me disa shokë të gjimnazit dhe bashkë me atë që më vonë u bë bashkëshortja ime, me Aurelën dhe një moment ndërkohë që njerëzit brohorisnin iu përlotën sytë. I thashë çfarë ke, njerëzit po gëzojnë, çfarë ke kemi fituar. Kam frikë tha dhe na u kujtua ’91-shi, ngjarjet e ’91-it, ku pas fitores te PPSH-së pati turbullira, pati viktima mes tyre të rinj. I thashë çfarë frike, kjo ka mbaruar, fituam. Jo, jo tha, kam frikë nga gjithë ky gëzim i njerëzve. Thashë pse ke frikë nga ky gëzim i njerëzve. Kam frikë tha sepse kam frikë mos zhgënjehem. Më ka mbetur në mendje kjo thënia dhe më ushtoi nga brenda si një thirrje që s’më la asnjëherë në subkoshiencë. Më është kujtuar kur përfunduam librin, kur libri ishte gati dhe e çuam për print më është kujtuar dhe e ndava me të, i thashë të kujtohet kjo, mbeti dhe tha po më kujtohet si ka mundësi e mban mend diçka që ka ndodhur kaq kohë përpara. E mbaj mend i thashë sepse është ndoshta një nga motivet që më shtyu të përfshihesha, mos ti zhgënjenim më njerëzit, të bënim gjithçka që shpresat e tyre për një jetë normale, për një Shqipëri normale, për një Shqipëri Europiane, të mos zhgënjeheshin”, tha Basha.