Olsi Qalliaj, 22-vjeçari që ka marrë pjesë në ndërtimin e skemës dhe ndjekjen, e më pas ekzekutimin e Jurgen Kurtit, nuk e ka përballuar dot presionin e hetuesve të policisë, duke nxjerrë detaje mbi ngjarjen e ndodhur më 18 mars.
Qalliaj është një nga 3 të arrestuarit që kanë ndihmuar me makinë, me gjetjen e armës, dhe me ndjekjen e Jurgen Kurtit autorin e identifikuar si 28-vjeçari Klodian Bane, edhe ky nga Patosi.
Olsi Qalliaj ishte ai që ka përmendur për herë të parë emrin e Klodian Banes, dhe që e ka orientuar policinë drejt dyshimeve të forta se është ai personi që ekzekutoi Jurgen Kurtin.
Sipas dëshmisë të siguruar nga “Report TV”, 22-vjeçari ka treguar në polici se ai njihet prej shumë kohësh me dy të arrestuarit e tjerë. Me Elsi Leventin, lindur në Greqi dhe banues në Tiranë, Qalliu thotë se ka marrëdhënie shumë të mirë shoqërore, pasi kanë bërë bashkë shkollën e mesme por janë njohur edhe më parë, më të vegjël në Patos.
Përmes Elsi Leventit ai ka njohur edhe Alesio Berberin, 33-vjeçarin nga Patosi, me të cilin shpesh konsumonin edhe kafe. Por Qalliaj ka treguar edhe si është njohur me Klodian Banen, rreth 1 vit e gjysmë më parë për shkak të miqve të përbashkët, Elsi dhe Alesio.
“Klodianin e kam njohur para rreth një viti në një lokal në Fier, nëpërmjet Alesios dhe Elsi Leventit. Nuk kam pasur ndonjë marrëdhënie të afërt me të. Ndërsa Levendin e kam njohur që në shkollë të mesme dhe më përpara në Patos. Me Elsin kam marrëdhënie shoqërore”, ka thënë ai.
22-vjeçari thekson se nuk ka ndonjë marrëdhënie të afërt me vrasësin e Jurgen Kurtit, por deklaron se vetëm 4 ditë para ekzekutimit të 26-vjeçarit e ka takuar Klodian Banen dhe i ka marrë çelësin për të fjetur në apartamentin e tij në zonën e “Liqenit të Thatë”.
”Unë Klodin për herë të fundit e kam takuar ditën e enjte, javën e kaluar në afërsi të Komunës së Parisit, ku i kam marrë çelësat e apartamentit që ai kishte në zonën e liqenit të Thatë në Tiranë, pasi doja të qëndroja tek kjo shtëpi pasi nuk kisha ku të flija. Unë atë ditë kam shkuar në apartament rreth orës 22:30 dhe aty nuk kam gjetur ndonjë persona në shtëpi. Para ditës së enjte nuk e mbaj mend saktësisht se kur e kam takuar Klodianin”, ka rrëfyer Olsi Qalliaj.
Ai gjithashtu ka thënë se ka shituar një makinë para katër muajsh, të cilën thekson se e ka parë ta përdorte së fundmi Klodian Bane.
“Edhe para pesë ditësh e kam parë këtë automjet ta përdorë përsëri Klodi në Fier. E ka përdorur Klodi në Tiranë”, mësohet të jetë shprehur 22-vjeçari nga Fieri.
Edhe pse vetëm 22 vjeç, Olsi Qalliaj nga Fieri bënte një jetë mjaft luksoze, pasi në rrjetet sociale ka postuar dhjetëra fotografi me makina të shtrenjta dhe me jahte.