Cristiano Ronaldo pritej të bëhej babai i dy binjakëve me partneren e tij prej disa vitesh tashmë, Georgina Rodriguez. Mirëpo, gjatë lindjes së modeles, fatkeqësisht jo gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve dhe Ronaldo ka humbur njërin prej binjakëve.
Bëhet fjalë për djalin, ndërsa vetë portugezi në një reagim në Instagram ka bërë publike ngjarjen ndërsa thekson se dhimbjen ia zvogëlon vetëm fakti se vajza e tij e porsalindur gëzon shëndet të plotë.
“Me hidhërimin më të thellë më duhet të lajmëroj se djali i vogël ka ndërruar jetë. Është dhimbja më e madhe që një prind mund të përjetojë, por vetëm lindja e vajzës na jep forcë të kalojmë këtë moment shumë të vështirë.
Dua të falenderoj doktorët dhe infermierët për kujdesin e tyre profesional, jemi të shkatërruar nga kjo dhimbje dhe kërkojmë pak privatësi në këtë moment të vështirë. Djaloshi jonë i vogël, tashmë je një engjëll dhe do të duam përgjithmonë”, mbyll reagimin e tij Ronaldo në rrjetet sociale.
37-vjeçari është babai i katër fëmijëve të tjerë, Cristiano Jr, Mateo dhe dy vajzave Eva dhe Alana.