Sport “E urreja CR7, çfarë i thashë në avion”, rrëfimi i Dybalës: Numri...

“E urreja CR7, çfarë i thashë në avion”, rrëfimi i Dybalës: Numri 10 te Roma? Kurrë mos thuaj kurrë

Paulo Dybala mund të konsiderohet si goditja më e madhe e Romës këto vitet e fundit në merkato. Argjentinasi është përshtatur më së miri me verdhekuqtë dhe me golat vendimtare, por edhe përulësinë për fanellën kryeqytetase, është shndërruar menjëherë në idhullin e ri të Romës. Në një intervistë të fundit për DAZN, “La Joya” rrëfehet në 360 gradë rreth aventurës së tij me Romën.

Nga raporti me trajnerin Jose Mourinho, te biseda në avion me Cristiano Ronaldo dhe deri tek mundësia që në vijim të trashëgojë fanellën me numër 10 që në të kaluarën është djersitur nga legjenda Francesco Totti.

Pritja e romanistëve- “Njerëzit këtu janë shumë të ngrohtë dhe kjo është diçka e pabesueshme. E kam ndjerë këtë nga dita e parë që shkela në Romë, të dëgjosh himnin e Romës para ndeshjeve është unike. Për mua është si të gjendesh para një vepre arti”.

Festimi “Dybala Mask”- “Historia e “Dybala Mask” lidhet edhe me Colosseon. Kur isha fëmijë shihja shumë filma në lidhje me qytetin e Romës, gladiatorët etj… E kam parë më shumë se 20 herë filmin “Gladiatori” dhe pas një momenti të vështirë në karrierën time duhej të rikthehesha, mendova menjëherë këtë festim që lidhet me gladiatorët. Njerëzve iu pëlqeu menjëherë dhe unë vijoj ta përdor”.

Zgjedhja e Romës- “Kur më telefonoi drejtori, Thiago Pinto dhe më tregoi për mundësinë e transferimit, në mendjen time erdhën menjëherë filmat rreth Romës, maska e gladiatorit dhe nuk u mendova dy herë”.

Pasioni për shahun- “Shahu më ndihmon shumë në lidhje me përqendrimin dhe mendjen time. Kam luajtur që fëmijë me babain tim dhe sa më shumë luaja, aq më e vështirë bëhej për atë. Derisa në fund edhe unë nisa të fitoja”.

Abraham dhe CR7- “Abraham është një lojtar i ri, por me shumë eksperiencë. Ka fituar Champions League dhe në vitin e kaluar shënoi shumë gola me peshë për Romën. Ne të dy mund të bëjmë edhe më mirë së bashku, por jemi ende duke u njohur dhe shpresoj të bëjmë maksimumin në ndeshjet e fundit të sezonit. Duam t’i dhurojmë Romës golat që nevojiten për t’u kualifikuar në Champions.

Nga ana tjetër me Ronaldon ishin tre vite të bukura te Juventus. Skuadra ishte e fortë dhe Ronaldo na jepte edhe diçka më shumë, por në Argjentinë ndjehet shumë dueli Messi-Ronaldo. Unë si fëmijë isha fans i Messit. Njëherë po udhëtonim në avion së bashku me Ronaldon, isha i ulur në fund, ndërsa ai në fillim. Por, në një moment Ronaldo m’u afrua dhe nisëm të bisedonim. Folëm për gjithçka, por në një moment i tregova se si fëmijë e urreja. Nisëm të qeshnim dhe kemi pasur gjithnjë një raport të bukur”.

Mourinho- “Mourinho ka një imazh dhe fuqi të madh për të gjithë atë që përfaqëson në botën e futbollit. Jam i sigurt se do të ishte një shahist i zoti. Më telefonoi dy herë para se të transferohesha te Roma dhe ai di mirë se si të komunikojë dhe t’i prekë njerëzit. Pata menjëherë një ndjesi të veçantë dhe është e vështirë që në botën e futbollit të ndjesh diçka kaq të sinqertë. Kam një raport shumë të drejtpërdrejtë me të dhe flasim shumë, “përplasim” idetë. Është shumë i zoti për të përgatitur një ndeshje dhe në fushë ndodh pjesa më e madhe e atyre që ai thotë.

E njeh shumë mirë futbollin dhe këtë e provon fakti se ka fituar në të gjitha skuadrat që ka trajnuar. Mbaj mend në janar të vitit 2022, kur isha ende pjesë e Juventus në fitoren 3-4 ndaj Romës, Mourinho m’u afrua dhe më tha se isha një fenomen. Nuk më kishte ndodhur kurrë që një trajner kundërshtar të më fliste në këtë formë. Në kohën kur ishte trajner i Manchester United dhe u përball me Juventus, patëm një zënkë, por që mbeti në fushë”.

Fanella e Tottit me numrin 10– “Numri 10 i Romës do të jetë gjithnjë i Francesco Tottit, ashtu si numri 10 i Juventus do të jetë gjithnjë i Alessandro Del Pieros. Tek Juventus ishte shoqëria që më kërkoi të vishja fanellën me numër 10 dhe për mua ishte një nder i jashtëzakonshëm. Te Roma? Kurrë mos thuaj kurrë! Sigurisht, do të ishte një përgjegjësi unike. Roli im në “shahun” e Romës? E sigurt është që Mbreti do të ishte Mourinho, ndërsa Mbretëreshë është e gjithë skuadra. Unë ndjehem ushtar”.

Penalltia në finalen e Botërorit- “Të jem i sinqertë isha shumë i ftohtë. E dija se ku do të godisja në momentin që lojtari i Francës para meje gaboi, shkova te pika e bardhë me siguri maksimale. Dhe, topi për fat të mirë shkoi në rrjetë”.