Regjisori Eduart Grishaj, është shprehur se për herë të parë në filmin ‘Sofia’ që do të jepet në kinematë shqiptare që prej datës 3 nëntor, ka aktore serbe që flasin shqip.
I ftuar në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Grishaj thekson se në film është një skenë e xhiruar në Beograd ku tregon momentin se si serbët e kanë parë ndeshjen Shqipëri-Serbi, ku flamuri shqiptar u valëvit me dron në Beograd.
“Është një vajzë që vjen nga Serbia për të parë Shqipërinë dhe për të zbuluar rrënjët e Sofisë shqiptare që i kanë pas mbajtur të afërmit e saj. Filmi fillon në Beograd dhe fillon me ndeshjen Serbi-Shqipëri. Është një skenë që kemi xhiruar në Beograd që tregon se si serbët e kanë parë ndeshjen kur ishte droni.
I gjithë filmi është me copëza ngjarjesh të vërteta. Jam regjisori i parë xhiroj në Serbi një film dhe që flitet shqip. Kam aktore serbe që flasin shqip. Ne e bëmë këtë në Beograd”, tha ai.
Regjisori Grishaj është shprehur se vajza e tij e vogël është e lidhur më shumë me të ëmën, Arbana Osmanin.
Grishaj tha se ka qenë Osmani që vajzës ia vuri emrin Zoi, që në greqishten e lashtë do të thotë jetë.
“Zoi është më e lidhur me Arbanën. Unë mbaj çunat, Arbana gocën. Unë kam përgjegjësi vetëm për emrin e Diellit, Zoit ia ka vendosur Arbana. Zoi do të thotë jetë. Zoi është shumë e vogël dhe tani ka nevojë për Arbanën”, tha Grishaj.
Grishaj është shprehur më tej se të kesh moderatoren Arbana Osmani në film si aktore është shumë e vështirë, sepse bën shumë dubla.
Grishaj theksoi se Osmani, që është dhe partnerja e tij me të cilën ka dy fëmijë, është kritikja më e madhe e tij.
“Është e vështirë të kesh Arbanën aktore, sepse bën shumë dubla. Arbanës çfarë nuk i thosha dhe çfarë nuk më thoshte. Njeriu më i afërt që kam është Arbana, e cila më ka kritikuar më shumë. Ato që më ka thënë i kam rregulluar.
Ndërkohë që xhiroja filmin, kemi bërë dhe fëmijët. Është më e vështirë të bësh regjisorin sesa babanë”, tha ai.