Është nisur dje drejt Shqipërisë trupi i pajetë i 37-vjeçares shqiptare Klodiana Vefa. Ajo u ekzekutua nga ish-bashkëshorti i saj shqiptar mbrëmjen e 28 shtatorit në Castelfiorentino të Firences, teksa po kthehej nga puna në shtëpi.
Varrimi do të bëhet ditën e shtunë, ndërsa në Itali janë mbajtur homazhe për ngjarjen e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik në të dyja shtetet.
Mediat italiane njoftojnë se komuna e Castelfiorentino ku familja shqiptare jetonte prej kohësh ka hapur një llogari bankare për të mbështetur fëmijët e Klodianës.
“Sapo mora një telefonatë nga Alessio, djali i Klodianës, duke më njoftuar për nisjen e tij dhe të motrës për në Shqipëri, ku do të bëhet varrimi i Klodianës të shtunën me vullnet të familjes. Solidariteti ndaj kësaj familjeje është vërtet i madh. Ne po punojmë që ta rrisim këtë solidaritet maksimalisht në ndihmë konkrete për dy fëmijët, që e gjejnë veten pa të dy prindërit pas kësaj tragjedie”. Për momentin ajo që kemi rënë dakord është që kjo llogari rrjedhëse e Bashkisë të vihet në dispozicion për çdo donacion, i cili do të vihet në dispozicion të tyre: IT94F0842537790000010299535. Arsyeja duhet të jetë: Klodiana”, tha drejtuesi i komunës, Alessio Falorni.
Nëna e dy fëmijëve u ekzekutua me plumb në kokë mbrëmjen e 28 shtatorit 2023 në mes të rrugës nga ish bashkëshorti i saj. Dy ditë pas vrasjes së gruas, muratori 44-vjeçar kreu vetëvrasje dhe u gjet pa jetë në fshatin San Casciano.
Në rrëfimet e të afërmve përmendet “një xhelozi shumë e fortë” e shqiptarit i cili edhe pse ishte ndarë me të, nuk e ka pranuar të shihte Klodianën të dilte për tu takuar me një italian 52-vjeçar.