Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë në Laknas, ku 70-vjeçari Maliq Marku vrau fqinjin e tij Shefqet Hasa.
Autori i krimit Maliq Marku ishte kthyer një javë më parë nga jashtë shtetit dhe është me origjinë nga Dibra. Ndërkohë viktima dhe i plagosuri janë nga Hasi.
Disa kohë më parë, vetë banorët e rrugës kanë mbledhur para për ndërtimin e kanalit të ujërave të zeza, por Maliq Marku nuk ka paguar ngaqë ka qenë jashtë dhe nuk i është dashur.
Pas kthimit nga Anglia, ka shkuar tek ujësjellësi për të lidhur edhe banesën e tij me kanalin. Ujësjellësi ka bërë piketimin, ndërsa dy fqinjët sot i kanë thënë që nuk do ta ndërtonte.
Në gjaknxehtësi e sipër ka marrë pistoletën dhe ka qëlluar. 4 plumba ka marrë viktima Shefqet Hasa, ndërsa 2 plumba, 1 në bark e 1 në këmbë i plagosuri.
Në momentin e të shtënave, në afërsi të zonës ka qenë një specialist i policimit në komunitet, i cili e ka dëgjuar dhe më pas është afruar dhe ka gjetur personin e plagosur duke vrapuar, e ka vendosur me makinë.
Më tutje ka gjetur të vdekur Shefqet Hasën. Ai ka hyrë në banesë dhe brenda autori Maliq Marku fillimisht ka bërë rezistencë për t’u dorëzuar. Pas negociatave ka hedhur armën në bahçe dhe më pas i kanë vënë prangat.
Në deklarimet e para ka thënë se e vrau Hasën për punë kanali.
Shefi i komisariatit nr. 5: Ngjarja pas sherrit për kanalizimin e ujërave të zeza
Shefi i Komisariatit nr. 5, Oliger Torba, dha të tjera detaje në lidhje me vrasjen që ndodhi këtë të enjte në Kamëz.
Ai u shpreh se autori Maliq Marku, 70 vjeç u arrestua në banesën e tij fill pas ngjarjes. Rezulton se arma që ai ka përdorur është pa leje dhe është sekuestruar.
Oliger Torba: Autori quhet Maliq Marku, 70 vjeç, u arrestua në banesën e tij. Është bërë dokumentimi i ngjarjes. Rezulton se janë dy persona të dëmtuar, Shefqet Hasa i cili ka ndërruar jetë dhe Besim Keqa që ndodhet në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.
Nuk kanë pasur konflikte të mëparshme. Motivi i konfliktit është për motive të dobëta. Ne po bëjmë veprimet tona procedurale. Autori akoma nuk është pyetur sepse është shumë shpejt. Arma ishte pa leje dhe u kap nga shërbimet e policisë në banesë.
Pyetje: Thatë për një konflikt për motive të dobëta, për çfarë bëhet konkretisht fjalë?
Oliger Torba: Bëhet fjalë për një kanalizim të ujërave të zeza, që po verifikohet nga ana jonë. Janë në një lagje. Konflikti ka qenë i çastit, pasi nga ana e kanalizim ujësjellësit kanë marrë piketimin dhe kanë kryer veprimet administrative
Pyetje: Banorët shprehen për konflikte të hershme mes tyre?
Oliger Torba: Nuk kemi pasur informacione të tilla. Konflikti ka qenë i çastit.