Edhe një futbollist shqiptar nga Maqedonia ka vendosur që në të ardhmen të veshë fanellën kuqezi të kombëtares shqiptare. Bëhet fjalë për mbrojtësin me përvojë, Besir Demiri, i cili aktualisht luan në Ukrainë, tek skuadra Mariupol.
“Kam zgjedhur Shqipërinë, sepse jam shqiptar. Nga Maqedonia askush nuk më ka kontaktuar”, deklaroi Demiri pwr Telesport.
Demiri ishte pjesë e U-21 të Maqedonisë në Europianin e fundit, të mbajtur në Poloni, ndërsa nga sezoni 2014-2017 është ftuar rregullisht në ekipin Shpresa të Maqedonisë, me të cilin ka zhvilluar 20 ndeshje. Po ashtu, ai ka luajtur edhe dy ndeshje të tjera (miqësore) për kombëtaren e parë maqedonase.
Demiri nuk është futbollisti i parë shqiptarë nga Maqedonia që zgjedh Shqipërinë, pasi në të kaluarën e kanë bërë këtë edhe Naser Aliji me Taulant Seferin. Gjatë karrierës së tij, ai ka veshur fanellën e Shkupit, Vardarit dhe Shkëndijës, me të cilët ka fituar tituj dhe ka luajtur në “Europa League”.
Luan si mbrojtës i majtë, në rolin natyral, çka do të thotë se është piketuar për të zëvendësuar Ansi Agollin në kombëtaren kuqezi.