25-vjeçari Dhimitër Vangjeli, i cili mbeti i plagosur rëndë pasi një masiv shkëmbor shembi një pjesë të banesës së tij, është transportuar drejt spitalit të Janinës.
Kjo për shkak se i riu nga Carçova e Përmetit ka qenë në gjendje kritike për jetën, me gjymtyrët e thyer dhe plagë të shumta. Për nxjerrjen e tij nga krevati ku flinte, përpara se ta zinte poshtë masivi shkëmbor, janë dashur disa orë nga forcat zjarrfikëse. Vështirësia për ta liruar nga shkëmbi ka sjellë dhe përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore.
Një prej fqinjëve ka treguar momentet e tmerrit, se si kanë tentuar që të ndihmojnë të riun për ta larguar nga masivi shkëmbor, ndërsa kërkon marrjen e masave nga shteti, që tragjedi të tilla të mos përsëriten.
“Momenti parë ishte zhurma njëherë. Bërtitja e familjes. Dola zhveshur, me mbathje, kam ardhur nga rruga lart. Kam parë gurin brenda në shtëpi. I them gruas i ka hyrë guri Thomait brenda. Kemi punuar me thonj, jemi prerë e grirë në ato mbeturina.
Morëm kompresorin, pamë që ishte një vend bosh dhe po i hiqnim gurët avash-avash. Siç flinte, kishte dhimbje të fortë te kyçi i këmbës. I ati, xhaxhai, çuni i xhaxhit tim dhe unë kemi qenë të parët që kemi hyrë brenda dhe u kemi dhënë ndihmën e parë. Institucionet të vijnë të verifikojnë, nga ka ardhur guri. Mund të bëhet një katastrofë tjetër”, ka treguar një prej fqinjëve të të riut të plagosur.