Të enjten (02.01.2020) Greqia, Qiproja dhe Izraeli nënshkruan marrëveshjen për linjën gazsjellëse “Eastmed” në pjesën veriore të Mesdheut. Financimi ende nuk është siguruar.
Pritje e madhe në Greqi: Nga dita e enjte (02.01.2020) në Athinë zhvillon një vizitë triditore kryeministri i Izraelit Benjamin Netanjahu. Ndërkohë që presidenti i Qipros Nikos Anastassiadis pushimet e Krishtlindjeve i ka kaluar në kryeqytetin grek. Në një ceremoni festive kryeministri Greqisë Kyriakos Mitsotakis me mysafirët e nivelit të lartë nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e linjë gazsjellëse “Eastmed”. Mbi 1900 km. e gjatë linja e tubacioneve nënujore duke nisur nga viti 2025 do të furnizojë gaz nga Izraeli në Europë. Vendi kryesor marrës i furnizimeve do të jetë Italia. Edhe shtete të tjera të Europës Jugore do të përftiojnë nga këto furnizime me gaz. Kjo do të jetë “linja më e gjatë gazsjellëse nënujore në mbarë botën”, njoftojnë redaktorë të gazetave të Athinës. Një “marrëveshje historike” e quan atë gazeta liberale ekonomike “Phileleftheros”. Përmes këtij projekti do të forcohet ndjeshëm diplomacia për energjetikën në rajon: Në fundjavë ministrat e Jashtëm në Egjiptit, Greqisë dhe Qipros konsultohen në Kajro për mundësitë e bashkëpunimit. Më 7 janar ministri i Jashtëm i SHBA-së Mike Pompeo viziton Qipron. Me këtë të gjithë pjesëmarrësit sinjalizojnë, se diçka po vihet në lëvizje. Por çfarë konkretisht?
Në televizionin shtetëror grek ERT Eastmed vazhdimisht konsiderohet si një “mburojë kundrejt provokimeve nga Turqia”. Kësisoj bëhet e qartë, që gazsjellësi i planifikuar nga këndvështrimi i Athinës është një përgjigje ndaj afrimit të fundit mes Turqisë dhe qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Libisë.
Le të kujtojmë, se prej vitesh Greqia, Qiproja dhe Turqia janë në grindje për rezervat e gazit në lindje të Mesdheut. Në fund të 2019-ës Libia dhe Turqia nënshkruan një marrëveshje, që përcakton një zonë të përbashkët ekonomike sipas përfytyrimeve të tyre dhe një pjesë të madhe të Egjeut lindor e ndan midis dy vendeve. Në këtë mënyrë zona detare në lindje të Kretës bie nën kontrollin turk. Por pikërisht në këtë zonë duhet të kalojë linja gazsjellëse Eastmed. Mos vallë me këtë po krijohet një konflikt direkt mes Greqisë dhe Turqisë? Në intervistë për ERT ministri grek i Energjetikës Kostis Hatzidakis tregohet i rezervuar: “Erdogan ka pikëpamjet e tij dhe ne kemi pikëpamjet tona. Ne i referohemi së drejtës ndërkombëtare dhe jemi të bindur, që të gjitha vendet, që kanë për të thënë diçka në rajon, janë në anën tonë”, deklaroi politikani konservator.
Pikëpyetje për Italinë
Një goditje të vogël pëson projekti Eastmed nga fakti se bie në sy mungesa e Italisë në nënshkrimin e marrëveshjes në Athinë. Sipas mediave greke në radhët e qeverisë italiane ka mosmarrëveshje për këtë projekt të ri.
Zëdhënësi i qeverisë së Qipros, Panagiotis Sentonas, tash së fundi në një intervistë, se Italia “për arsye teknike” nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen në Athinë. Megjithatë një përfaqësues i Romës (që nuk përmendet me emër) do të jetë i pranishëm. Sidoqoftë ministri italian i Energjetikës Stefano Patuanelli përmes një letre dërguar të martën (02.01.2020) homologut grek Hatzidakis është shprehur, se Roma e mbështet ndërtimin e gazsjellësit Eastmed dhe do t’i përgjigjet rolit të saj dhe do të angazhohet për projektin edhe brenda BE-së. Për t’iu përgjigjur rolit si marrësi kryesor i furnizimeve me gaz, Italia duhet që ta ndërtojë vet një segment gazjellësi nënujore, që do ta lidhë këtë vend me portin veri-perëndimor të Greqisë në Igumenicë.
Dyshime ndaj rentabilitetit të gazsjellësit
Gazsjellësi Eastmed ka në radhë të parë një dimension të rëndësishëm gjeo-politik, thotë për DW Alex Lagakos, nëndrejtor i Think Tanks “Greek Energy Forum” në Athinë. Eksperti ngre disa dyshime lidhur me rentabilitetin e gazsjellësit. Së pari kostot janë të jashtëzakonshme: të paktën dhjetë miliardë Euro. Fakti që Greqia, Qiproja dhe Izraeli e kanë miratuar këtë projekt, nuk do të thotë, se ato e posedojnë kapitalin e nevojshëm, për ta zbatuar shpejt atë, tërheq vëmendjen Lagakos. Ndihma nga BE nuk duket të ketë, sepse Europa ka hequr dorë prej energjive focile dhe synon projekte për energjitë ekologjike. Kjo ka krijuar një agjendë të re në Bruksel. Si konkluzion: “Gazsjellësi Eastmed duhet të financohet tërësisht nga privatë e kjo e vështirëson projektin.”
A mund të jetë tërheqës projekti në lindje të Mesdehut për investitorët privatë? Në sfondin e mbiofertës me gaz që ka aktualisht në tregun botëror, eksperti është skeptik: “Gjithnjë e më shumë kleintë po synojnë importet me gaz të lëngshëm (LNG) përmes posteve detare. Përse një marrës i furnizimeve duhet të kushtëzohet afagjatë prej një gazsjellësi, kur në çdo kohë LNG mund ta përftojë në mënyrë fleksibël dhe me kosto të favorshme?”, shtron pyetjen Lagakos.
Linja të reja gazsjellëse ka mjaft. Më 8 janar presidenti i Rusisë dhe ai i Turqisë do të përurojnë vënien në funksion të linjës Turkish-Stream në ngushticën e Detit të Zi. Kjo linjë do të përçojë gazin natyror nga Rusia përmes Turqisë në Europë. Mbetet të shihet, nëse Eastmed dhe Turkish-Stream do ta plotësojnë njëra-tjetrën apo do të jenë në konkurrencë së bashku.
Jannis Papadimitriou/DW