Edhe 200 mjekë të tjerë të Kosovës do të udhëtojnë sot për në Kukës për të marrë dozën e parë të vaksinës anti-COVID.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla. Ai tha se 250 mjekët që u vaksinuan të shtunën e kaluar janë mirë me shëndet dhe se nuk kanë pasur ndonjë problem të theksuar, përpos reaksioneve normale.
Për shkak se Kosova ende nuk ka arritur të sigurojë dozat e para të vaksinës, qeveria e Shqipërisë ka ofruar mbështetje.
Vaksinimi bëhet në Kukës për shkak se kompanitë që prodhojnë vaksinën nuk lejojnë që ajo të nxirret jashtë vendit të kontraktuar.