Lulzim Bashën e braktisin edhe dy nënkryetaret që i kishin mbetur pranë, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku. Ata i kanë kërkuar kreut aktual demokrat Lulzim Basha që të bëjë një hap pas në të mirë të bashkimit të Partisë Demokratike. Sipas Alibeajt PD është e ndarë në 3 pjesë; me Bashën, Berishën dhe pjesa tjetër që nuk ka përfaqësim.
“Kryetar ju duhet të bëni një hap pas, edhe Sali Berisha dhe të bashkohen demokratët”, i ka thënë Aliabej Bashës në mbledhjen e grupit parlamentar, njofton zyra e shtypit e PD.
Sipas Alibeajt, PD duhet të japë sinjale bashkimi në një proces të sinqertë.
“Historia ka nisur në 9 shtator nga vendimi që ju morët. Ju thatë që mbani koston e vendimmarrjes. 1/3 e atyre që qëndroi, kam respektin më të madh. Është dhe 1/3 që u keqpërdor nga Sali Berisha. Ai tha se nuk do të përfshijë njerëzit. 1/3 e heshtur. Duhet të bëjmë një analizë se pse ndodhi kjo situatë. Sulmet që ndërmori Sali Berisha ndaj PD fillojnë që para 6 marsit.
Na duhet t’u japim sinjale bashkimi. Vendimi yt kishte qëllim të mirë, por nuk ia dolëm. Kam dy alternativa. E para, Nuk e shoh dot PD që të ngjitet pas Sali Berishës. Nuk është alternative. Merreni si te doni, emocionale, personale. Ne duhet te japim sinjale bashkimi. E dyta, duhet t’u japim shans të tre pjesëve që të bashkohen. Procesi duhet të jetë i sinqertë. Propozoj që përderisa këto 2 pjesë e kanë një përfaqësim, e treta nuk e ka dhe ju thatë që jeni në funksion të zgjidhjes, ju të bëni hap pas, Berisha hap pas, të krijohet substanca e bashkimit, e sinqertë. Këtë shoh si mundësi. Kemi kohën e mjaftueshme”.
Në të njëjtën linjë edhe Jorida Tabaku tha se ishte gati të linte edhe karrigen e deputetes për bashkimin e demokratëve. Ajo i bëri thirrje Bashës të bëjë një hap pas dhe të gjenden mënyrat që PD të dalë nga kjo situatë.
“Nuk kam preferuar qe diskutimin e brendshëm ta bëjmë mediatik. Nuk themi dot qe kemi bërë mirë. Kam qenë e angazhuar me komunitetin mediatik, nuk kam patur mundësi të përfshihem si kolegët e tjerë. U përfshiva 4 ditët e fundit. Falënderoj kolegët që votuan edhe në parlament në komisionin hetimor. Do të kisha dashur që pavarësisht ndasive, grupi të kishte mbajtur qëndrim atë ditë. Në politike na dallon qëndrueshmëria. Nga 9 shtatori kam kërkuar përbashkim. Jam sulmuar ose kam kërkuar të jemi bashkë. Rezultati që morëm në terren, na dëmtoi. Edhe pala tjetër nuk arriti asgjë. Pra vetëm bashkë dhe përtej nesh mund t’ia dalim. Në Vorë më thanë se nga 25 prilli nuk ka patur njeri në terren nga PD. Ne nuk mund të jemi parti zyrash. Në çdo mbledhje, kam kërkuar që të mos përjashtojmë njerëz. Nuk jam ne politike për karrige. Jemi për të përfaqësuar njerëzit. Unë jam gati të ik dhe nga deputete. Nuk e konsideroj pozicionin si privilegj, por përgjegjshmëri. Nuk është karriera individuale në lojë, as e Bashës, e Joridës. Është PD në lojë. Secili duhet të kalojë mbi vete dhe te shohim cili është ky hapi përbashkues. Kam lexuar kolegun Sula që ka propozuar një mekanizëm. Dëshira për të dalë nga këtu ku jemi, ekziston. Besoj kryetar që ju duhet të bëni një hap pas. Të gjejmë një mënyrë sesi faktorët në PD të bashkohen dhe ne të ecim përpara. Besoj se ne duhet të ishim sot në proteste. Ata presin që ne të jemi përballë Edi Ramës, jo njëri tjetrit. Na kanë votuar për alternative qeverisëse dhe ne duhet të jemi një alternativë e tille. Ne duhet të jemi një parti që mbështet qytetarët, të jemi në terren. Të jemi të thjeshtë, se jemi për herë të tretë në opozitë. Sot beteja ime është me Edi Ramën. Nuk kam asnjë ambicie personale. Duhet të dalim mbi vete. Si të dalim mbi vete dhe të nxjerrim sipër PD. E pame se ku jemi. Duhet të shohim si ringrihemi. Nuk di të them cili është mekanizmi, por di të them që ajo që ndodhi në këto muaj na solli në këtë situate. Duhet ta tejkalojmë për demokratet dhe shqiptarët”.