Kosova Edhe Haradinaj kërkon të ndihmojë financiarisht për të rindërtuar Notre Dame

Edhe Haradinaj kërkon të ndihmojë financiarisht për të rindërtuar Notre Dame

Shteti i Kosovës do të ndihmojë financiarisht në rindërtimin e Katedrales Notre Dame në Paris e cila dy ditë më parë u shkatërrua nga flakët e ashpra.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se do të ndajë fonde për rindërtimin e katedrales Notre Dame, duke shkaktuar kështu reagime nga opozita.

Duke shprehur keqardhje për djegien e katedrales, para ambasadorit të Francës, Didier Chabert, Haradinaj ka thënë se edhe Kosova do të ndihmojë në rindërtimin e saj. Ai nuk ka konfirmuar vlerën e mjeteve që janë propozuar në këtë rast.

“Duhet të jemi të kujdesshëm kur flasim kundër saj, për shkak se Franca është vend mik dhe mijëra kosovarë jetojnë dhe punojnë në Francë”, tha Haradinaj.

Lidhur me këtë paralajmërim ka reaguar i pari i Prishtinës, njëkohësisht kreu i PSD-së, Shpend Ahmeti, i cili tha se do të ishte mirë që fondet në fjalë të kalojnë te familjet të mbetura pa kulm mbi kokë.

Kritika të ngjashme ndaj Haradinajt kanë bërë edhe mediat në Kosovë, duke rikujtuar se objekti i Pallatit të Rinisë i djegur nga flakë të ngjashme në vitin 2000 asnjëherë nuk është restauruar, në mungesë të fondeve.

Kujtojmë se për dy ditë janë siguruar më shumë se 1 miliardë dollarë për rikonstruktimin e katedrales, dhe fondet kanë vërshuar nga miliarderët më të njohur në Francë.