Politika Edhe Meta si Berisha u bën thirrje qytetarëve: Mos blini apartamente në...

Edhe Meta si Berisha u bën thirrje qytetarëve: Mos blini apartamente në projektin e portit të Durrësit

Pas kryedemokratit Sali Berisha, edhe kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta u ka bërë thirrje qytetarëve të mos blejnë apartamente në projektin e Portit të Durrësit.

Kjo sepse sipas tij ky projekt është një skemë piramidale për vjedhjen e parave të tyre. Ish-presidenti u bëri thirrje organeve të Drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e çdo kontrate paraprake shit-blerje,që është në kundërshtim të ligjit dhe në dëm të qytetarëve.

“MOS BLINI APARTAMENTE NË PROJEKTIN E PORTIT TË DURRËSIT!

MOS BINI PRE E MASHTRIMEVE TË KËSAJ SKEME TË PASTËR PIRAMIDALE!

I ftoj të gjithë qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për blerjen e apartamenteve në Projektin e Portit të Durrësit, që nuk është gjë tjetër veçse një skemë e pastër piramidale për vjedhjen e parave tuaja.

Në mungesë të plotë transparence, për këtë të ashtuquajtur Projekt, nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do të bëhet ndarja e të ardhurave.

Është vetëm një aferë e pastër korruptive, që synon t’ju grabisë paratë dhe asgjë më shumë!

U bëj thirrje organeve të Drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e çdo kontrate paraprake shit-blerje, në kundërshtim të ligjit dhe në dëm të qytetarëve”, shkruan Meta.

Pak më herët të njëjtën thirrje bëri edhe kreu i PD-së Sali Berisha, gjatë një konference me gazetarë.