Një nga pyetjet që kanë shqiptarët e karantinuar prej mbi një muaj është: si do të bëhet plazh këtë vit? Përgjigjja është ajo që kemi edhe për daljen për pazar: duke marrë leje.
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi, tha se këtë vit mënyra sesi do t’i bëjmë pushimet buzë detit do të ndryshojnë.
“Po përgatisim një rregullore të re të plazheve, duke i dedikuar rëndësi sigurisë së jetës së njerëzve dhe të mos përhapet pandemia. Një draft të parë e kemi, me distanca më të madhe mes çadrave të plazhit, nuk do të ketë festa, party masive në bregdet. Do të jetë një turizëm familjar, të qetë. Duke marrë leje tek e-albania përsëri. Pa leje do të jetë e vështirë që të mendohet sezoni turistik”, tha ai për “Tema TV”.
Dje në Itali u prezantua një mënyrë sesi qytetarët mund të bëjnë plazh, nuk përfshihej kërkesa për autorizim, por janë vetë bizneset që duhet të marrin masa për të ruajtur një distancë mes çadrave apo të vendosin ndarëse mes tavolinave.