Nëntori dhe dimri në Shqipëri do të jenë periudha më e vështirë për shkak të Covid-19. Në një intervistë për Tv Klan, kreu i Task-Forcës anti-covid, Arben Gjata, tha se ashtu si vendet e rajonit, edhe Shqipëria do të ketë masa shtrënguese dhe karantina për zonat e kuqe.
“Padyshim që muajt që presim do jenë muajt e sfidës së madhe për Shqipërinë dhe për sistemin shëndetësor shqiptar. Siç parashikohet gjithandej pritet një rritje e numrit të pacientëve të covid dhe përhapje e pandemisë. Që prej Korrikut është ngritur një grup pune për përballimin e covidit deri në Qershor të vitit që vjen. Lockdown janë të ndryshme, kufizime në orare të darkës në zona të ndryshme, edhe një mbyllje totale”.
Me shqetësim po shihet mosrespektimi i masave në administratë dhe ambiente të populluara si baret.
“Aty ku njerëzit punojnë bashkë, administrata jopublike dhe është e domosdoshme të shmangen kafetë, drekat dhe darkat pasi janë ambiente që rrezikojnë për covid”.
Një tjetër faktor në përhapjen e infektimeve kanë ndikuar edhe mosrespektimi i karantinimit nga familjarët e personave me covid pozitiv.
“Vërej me keqardhje që personat që janë prekur me covid dhe familjarët e tyre, kam parë njerëz konkretë që njoh që kanë vajtur në kafe apo në punë edhe pse familjarët janë me covid”.
Tirana ka numrin më të lartë të të prekurve me Covid-19. Transporti publik vijon të mbetet shqetësim. Në vend regjistrohen afro 9 mijë raste aktive.