Shqipëria është një ndër 35 shtetet që duhet përfshirë në listën e zezë të Bashkimit Europian për kontrollin mbi parajsat fiskale, thotë një studim i fundit i publikuar nga një prej organizatave më prestigjioze në Botë, Oxfam.
Kjo listë vjen në një kohë kur është rritur presioni ndërkombëtar për zbulimin e origjinës së parave që qarkullojnë në ekonomitë në zhvillim të botës perëndimore.
Lista e Oxfam flet edhe për katër shtetet të tjera, anëtare të unionit; Irlandën, Luksemburgun, Maltën dhe Holandën.
Në listën kryesore ndërkohë, atë me 35 shtete të cilat duhen përfshirë patjetër, veç Shqipërisë figurojnë edhe të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me përjashtim të Kosovës. Këto pesë vende, janë të vetmet europiane në listë.
Oxfam saktëson se, kjo do të duhet të ishte lista e zezë e Brukselit, në rast se nuk do të kishte presione politike dhe manovra të tjera.
Pra, Shqipëria figuron ndër shtetet të cilat duhen minimalisht të përfshihen në listën e zezë të Brukselit.
Kjo vjen për shkak se vendi ynë, sipas Oxfam, nuk përmbush ende plotësisht një ndër tre kriteret kyçe, atë të implementimit të masave për të luftuar evazionin fiskal dhe shmangien e taksave.
Në këtë prizëm, nga ana e Komisionit Europian priten dhe rekomandime të tjera për qeveritë e Ballkanit Perëndimor.