Ashtu si e gjithë Europa, edhe Shqipëria do të pezullojë fluturimet me Britaninë e Madhe nga dita e nesërme. Shkak është bërë varianti i ri i koronavirusit.
“Për të kufizuar riskun e përhapjes së infeksionit, si dhe riskun e lartë të transmetimit shkaktuar nga varianti i ri kemi vendosur pezullimin e fluturimeve me Britaninë e madhe duke filluar nga ora 6:00 ditës së martë datë 22 Dhjetor deri më 6 Janar”, tha ministrja Manastirliu.
Ajo shtoi më tej se do të vendoset masa e karantinës së detyruar 14 ditore për emigrantët që vijnë nga Britania, si në rrugë ajrore ashtu edhe tokësore.
Sipas të dhënave nga Aeroporti “Nënë Tereza”, të hënën një avion i kompanisë Wizzair nga Londra u ul në Tiranë në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Samit në Bruksel
Liderët europianë do të zhvillojnë këtë të hënë një samit të jashtëzakonshëm në Bruksel për masat e njëtrajtshme që do të marrin vendet anëtare të unionit.
Në disa vende europiane si Holandë, Gjermani e Itali janë konstatuar persona të infektuar me variantin e ri të koronavirusit, por në shumicën e rasteve kanë qenë asimptomatikë.
Ekspertja e virologjisë Uendi Barkllei tha për BBC se shqetësues është fakti që koronavirusi ka pësuar mbi 20 lloje mutacionesh, teksa normalja për një virus është të paktën 2. Kjo tregon se Covid-19 mund të ketë ndryshuar mënyrën e sjelljes dhe pasojat e infektimit.
Ajo që dihet aktualisht është se mutacioni i ri përhapet 70% më shpejt se varianti që ka qarkulluar deri më tani. Kjo veçori mund të shkaktojë një dyndje të re drejt spitaleve të pacientëve që kanë nevojë për mbikëqyrje mjekësore. Kjo rrezikon të shtojë vdekshmërinë pasi jo të gjithë pacientët mund të marrin gjithë ndihmën e nevojshme nga mjekët në një situatë ku kapacitetet e tyre tejkalohen.