Gjatë takimit me bashkatdhetarët në Nju Jork, kryeministri Edi Rama priti dhe disa pyetje nga të pranishmit në sallën Gotham Hall.
Kreu i qeverisë u shpreh se Partinë Demokratike e morën “komunistët më të zinj”, teksa foli dhe për Shkodrën, e cila për herë të parë votoi për PS në zgjedhjet e fundit lokale.
“Kam qejf kur më thonë jam antikomunist dhe demokrat, kështu isha dhe unë. Por PD na e morën komunistët më të këqij. Thashë më mirë bashkohemi me komunistët që nuk e mohojnë nga kanë ardhur sesa me ata që ishin më të zinjtë kur ishin komunistë. Shqipëria nuk është e ndarë mes komunistësh dhe demokratësh. Shqipëria është e ndarë mes punëtorësh dhe dembelësh, patriotësh dhe nacionalistësh që i referohen flamurit vetëm për t’u fshehur dhe e treta e atyre që Shqipërinë e shohin përtej bindjeve. Shembulli i Shkodrës është kuptimplotë 33 vjet e mbajtën se ne ishim komunistë. Një herë na e dhanë mundësinë dhe shiheni si ka ndryshuar Shkodra”, tha Rama.
I pyetur nga emigrantët shqiptarë në Amerikë, se kur do të hapet linja Nju Jork-Tiranë, Rama tha se aeroporti ka nisur negociatat me kompaninë amerikane Delta për të filluar fluturimet direkte.
“Shqipëria ka aeroportin me rritjen më të madhe në Europë dhe aktualisht po negocion me kompaninë Delta për një fluturim direkt nga SHBA në Shqipëri. Nuk e di se kur përfundon negociata. Ndërkohë do të hapim dhe aeroportin e Vlorës i cili do të ketë pistën më të gjatë në rajon dhe është bërë e tillë për fluturimet transoqeanike dhe po bisedojmë me AirAlbania për një fluturim të drejtpërdrejt dhe do ta bëjmë këtu në Nju Jork. Por e sigurt është që koha e gjatë për të pasur një fluturim të drejtpërdrejt nuk do të jetë më aq e gjatë dhe besoj se për një kohë të arsyeshme do ta sjellim avionin këtu”, tha Rama.