Pas Shkodrës, aksioni “Fijet” i policisë është shtrirë në Vlorë për të hequr kamerat vëzhguese të vendosura në rrugët e qytetit nga kontigjentët kriminalë.
Kështu, policia ka hequr 16 kamera të lidhura me aparate celulare të shtetasve të ndryshëm. Këto kamera ishin instaluar në lagjet “Uji i Ftohtë”, “1 Maji”, “24 Maji”, “Lirim” dhe “Hajro Çakërri”.
Policia thotë se kamerat e sekuestruara ishin vendosur pa lejen përkatëse të organeve kompetente. Vendosja e tyre është në kundërshtim me ligjin 9887, të datës 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” dhe përbën veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, që parashikohet nga neni 121 i Kodit Penal.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, vijon puna intensive për identifikimin e shtetasve që kanë instaluar këto kamera, si dhe për zbardhjen e plotë të qëllimit të vendosjes së tyre.
Kujtojmë se vetëm në Shkodër deri më tani policia ka çmontuar 59 kamera të vendosura pa leje në rrugët e qytetit që dyshohet se kontrolloheshin me celular nga kontigjentët kriminalë.