Kryesore “Edi Rama gjej vrimë miu ku të futesh”, Berisha zbulon datën dhe...

“Edi Rama gjej vrimë miu ku të futesh”, Berisha zbulon datën dhe vendin e protestës “më të madhe” të PD

Opozita do të zhvillojë një protestë madhështore të mërkurën e 27 dhjetorit para Gjykatës së Lartë, aty ku do të zhvillohet gjyqi për të shqyrtuar çështjen e legjitimitetit të vulës së Partisë Demokratike.

Ditën e protestës e njoftoi kreu i Partisë Demokratike të Rithemelimit, Sali Berisha nga tubimi që po zhvillohet para Kryesisë së Kuvendit, ku njëherësh po Këshilli i Mandateve po shqyrton kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të tij.

Përveç kësaj proteste, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që çdo të enjte të jenë të pranishëm në tubimet që do të zhvillohen para Parlamentit.

“Më 27 dhjetor çdo demokrat dhe demokrate para Gjykatës së Lartë ku Edi Rama ka porositur ekzekutimin e identitetit tonë. Ne do të qëndrojmë. Do qëndrojmë dhe do fitojmë. E enjtja që vjen të gjithë para Parlamentit monist. Këta duken të fortë por këta janë kalbësira. Ju ftoj ju ditën e enjte dhe çdo të enjte para Parlamentit, për pluralizmin, për demokracinë. Çdo qytetari shqiptar që do sadopak këtë vend i bëj thirrje të ngrihet. Çfarë duhet të pësojë më shumë Shqipëria sesa të humbasë 35% të djemve dhe vajzave, burra dhe grave në 10 vite”, tha Berisha.

Sakaq, Berisha iu drejtua qindra protestuesve që iu bashkuan tubimit të thirrur nga Rithemelimi para Kryesisë së Kuvendit, duke paralajmëruar fundin e kryeministrit Edi Rama.

Duke hequr një paralele me vitin ’97, ku atij personalisht iu hoq imuniteti, Berisha tha se Partia Demokratike do të ngrihet njëjtë si pas asaj sfide, duke fituar pushtetin me votë.

“Një prokuror politik, xhelat i Sigurimit të Shteti akuzoi Sali Berishën për krime kundër njerëzimit dhe parlamenti i hoqi imunitetin. Asokohe menduan se erdhi revanshi i etërve për të shuar idealet e lirisë së shqiptarëve, por gabuan. Ne e nisëm 30 në oborrin e selisë, u bëmë 300, u bëmë 3 mijë, 30 dhe 300 mijë dhe u kthyem me votë në pushtet. Sot ne jemi këtu për idealet e lirisë, jemi këtu në një kthesë që na fton historia. Jemi këtu në një betim që kërkon e sotmja dhe e ardhmja jonë. Jemi këtu për t’i komunikuar Edi Ramës, këtij armiku të egër të qenies shqiptare, se je i dënuar përjetë për shkak të votës së shqiptarëve. Se Edi Rama, bir dhe nip xhelati ke vite që sillesh si xhelat me votën e shqiptarëve. Ke vite që shqiptarët votojnë dhe ti nxjerr hanxharët e krimit dhe bandave për të ekzekutuar votën e tyre. Ke vite që për karrigen tënde nuk njeh ligj, normë, standard e moral. Duke besuar se demokratët i shtype. Edi Rama të ka ardhur fundi. Të garantoj unë ty që kurrë më, kurrë më votën e shqiptarëve s’do guxosh ta prekësh.”

Duke theksuar se ajo çfarë pritet nga opozita është një kthesë për t’u përballur me regjimin në shesh, Berisha deklaroi se “luftëtarët e lirisë” do të bëjnë që kryeministri Rama të mos gjejë vend ku të futet falë mosbindjes civile.

“Çfarë kërkohet nga ne sot? Kërkohet një kthesë, në të cilën ne duhet të dalim në shesh të mejdanit si burra e gra të betuar për liri, si luftëtar lirie. Duhet të dalim me betimin se jetën e japim dhe votën s’e falim. Duhet të dalim me betimin, se një armik që përzuri në 10 vite 1 milionë e 300 mijë shqiptarë, do përgjigjet gjer në nji. Edi Rama është fundi yt. Mblidhu dhe struku ku të duash. Pak javë më parë të paralajmërova se ajo që po shihej në parlament ishte vetëm fillimi. Do ta shohësh ti mosbindjen e këtyre luftëtarëve të lirisë. Gjej vrimë miu ku të futesh“, tha Berisha.