Kryeministri Edi Rama tha se do të takohet me kandidatin për Kryeministër të Kosovës dhe fituesin e zgjedhjeve të 6 Tetorit, Albin Kurti, në ditët e ardhshme.
Ky takim tha se do të realizohet pas kërkesës së Kurtit.
“Do të takohemi në ditët në vijim. E pres me shumë kënaqësi. E kam ndjekur në prononcimet e tij, bie dakord me të që ka nevojë për shtysë të re në raport me marrëdhënien mes dy qeverive dhe marrëveshjet e bëra. Shpresoj që me qeverinë e re, të mund të plotësojmë boshllëqet që u krijuan me qeverinë e mëparshme, që nuk mundi të bëjë shumë.”
Ndërkohë, Rama tha se një prej propozimeve të tij për Kurtin, do të jetë vendosja e një ministri Shteti për Kosovën në Shqipëri dhe një ministri për Shqipërinë në Kosovë, i cili të merret gjithë kohën vetëm me marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kryeministri po ashtu tha se Kosova nuk është vetëm e mirëpritur, por edhe e ftuar që të marrë pjesë në takimet për “Mini-schengenin ballkanik”.
“Takimi i radhës do të jetë më 10 nëntor në Ohër, nuk e di a do të krijohet qeveria në Kosovë deri më 10 Nëntor.”
Rama përsëriti se me Vuçiç dhe Zaev nuk ka firmosur asnjë marrëveshje, “është bërë një deklaratë e përbashkët. Në këtë aspekt nuk ka diskutim që nisma është gjithëpërfshirëse.”