Kryesore Edi Rama nuk vë asnjë kufi për bashkëpunimin me PD-në

Edi Rama nuk vë asnjë kufi për bashkëpunimin me PD-në

Kryeministri Edi Rama u shpreh i hapur për çdo lloj bashkëpunimi me PD-në, duke përfshirë edhe bashkëqeverisjen e ribërjen e zgjedhjeve vendore.

Ai u shpreh se fillimisht bashkëpunimi duhet të vendoset në frymë dhe pastaj nisen dhe ndërtohen parimet e këtij bashkëpunimi të rëndësishëm. Kryeministri u shpreh se vetëm me Partinë Demokratike mund të bashkëpunojë sa u përket partive opozitare pasi vetëm atë njeh si opozitë të vendit.

“Çdo bashkëpunim fillon me frymë. Unë nuk kam asnjë kufi. Asnjë kufi nuk kam. Nuk kam asnjë vijë të kuqe. Unë jam përballë PD-së. Opozita shqiptare është PD. I gatshëm të bashkëpunoj pa kufi me PD-në. Të ulemi dhe të ndërtojmë parimet e këtij partneriteti. Nuk kam më asnjë kufi”, u shpreh Rama në emisionin “Opinion”, në TV Klan.

Ai u shpreh se në këto zgjedhje PD mori maksimumin e votave që mund të merrte: “PD nuk është ndëshkuar në këto zgjedhje. Vota i është dhënë një partie që ka bërë një sforco”.

Rama përjashtoi prerë bashkëpunimin me presidentin Ilir Meta. “Meta është jashtë çdo lloji konfiguracioni dhe me Ilir Metën do merret parlamenti i Shqipërisë. Metën populli e dënoi dhe parlamenti do ta formalizojë”, tha Rama.