Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama, është rizgjedhur për një mandat tjetër si zëvendëspresident i Internacionales Socialiste.
Lajmin e bëri të ditur sot Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri.
“Më herët Kongresi XXVI i Internacionales Socialiste votëbesoi në detyrën e Presidentit kryeministrin e Spanjës Pedro Sánchez që mori vlerësimin edhe nga Partia Socialiste e Shqipërisë si pjesë e familjes së madhe të socialistëve dhe progresistëve të botës”, u shpreh Gjiknuri.
Kongresi XXVI i Internacionales Socialiste mbahet në Madrid, Spanjë, më 25-27 nëntor, i organizuar nga Partia e Punëtorëve Socialiste Spanjolle, PSOE.
Këshilli u mblodh mëngjesin e 25 nëntorit. Një ditë para takimit u mbajtën mbledhjet e komisioneve statutore dhe darka e punës së presidiumit.
PS është pjesë e Internacionales Socialiste prej vitit 1999. Ky është mandati i dytë i Kryeministrit Rama si zëvendëspresident, ndërsa mandatin e parë e kishte në vitin 2013.