Kryeministri Edi Rama foli për çështjen e vaksinimit në Kuvend, përpara se deputetët të votonin për marrëveshjen e arritur me kompaninë Pfizer për furnizimin e vendit tonë me dozat e nevojshme.
Duke bërë një rezyme të situatës në rajon në lidhje me vaksinimin, kreu i qeverisë prezantoi dhe ambiciet e qeverisë për këtë proces, ku u shpreh se synimi është vaksinimi i të gjitha kategorive brenda 14 muajsh, në rastin më të mirë.
Por kryeministri u shpreh se janë dhe dy skenarë të tjerë, që vaksinat të bëhen për 18 muaj, por dhe për 24 muaj.
“Përjashto Serbinë dhe Shqipërinë, asnjë vend nuk ka filluar me vaksinimin. Të gjitha vendet kanë parapaguar përmes Covax, një platformë për t’iu dhënë mundësinë të gjithëve të kenë akses te vaksina, por që ende nuk është hapur. Flitet që do të nisë së shpejti. Nga ana tjetër ne kemi ndeshur në vetë të parë vështirësinë e marrëdhënieve bilaterale për shkak sepse ka një element tjetër që vendet për të bërë marrëveshje me njëra-tjetrën, për të dhuruar apo shitur duhet që patjetër të marrin leje nga Pfizer. Përndryshe ky transaksion është i pamundur. Kështu është e nënshkruar dhe në marrëveshjen që kemi arritur dhe që do ta ratifikojmë në Kuvend. Plani i vaksinimit ka 3 skenarë, më ambiciozi është vaksinimi i të gjitha kategorive në 14 muaj. Skenari i mesëm ka një axhendë 18 mujore dhe i treti 24 muaj. Ne do të bëjmë gjithçka për të shkuar sipas skenarit më ambicioz”, tha Rama.
Më tej, kreu i qeverisë shpjegoi se shumë shpejt do të hapen dhe qendra e vaksinimit në Shkodër dhe Vlorë për t’iu krijuar mundësinë mjekëve dhe moshave të thyera të kenë akses më lehtë në këtë proces të rëndësishëm të imunizimit.
“Shkallë-shkallë do të marrim të gjithë sasinë e dakordësuar. Shkallë-shkallë mund të porosisim dhe sasi të tjera gjë që është sanksionuar dhe në marrëveshje. Dua të nënvizoj për shtyrjen me një javë të të gjitha angazhimet e veta të Pfizer për shkak të rritjes së kapaciteteve që do të thotë që ky është një proces që ka të papriturat e veta. Ne jemi të përgatitur. Qendra e vaksinimit në Tiranë që po vaksinon mjekët, infermierët, drejtpërdrejt me rrezikun, të shtrihet në Shkodër, Vlorë dhe pikat e caktuara në plan në mënyrë që aksesi i njerëzve të shëndetësisë dhe të moshuarve të jetë sa më i lehtë”, përfundoi kryeministri.