Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, ka lëshuar një paralajmërim të qartë se personazhi i momentit për futbollin shqiptar, Armando Broja, nuk është në majën e listës së preferencave të tij nëse nuk ndryshon sjellje.
Duke folur për RTSH, Reja theksoi se Broja duhej të mendonte të ndryshonte mënyrën e lojës nëse dëshironte një vend në rreshtim.
“Broja nuk ka pasur sjellje shumë pozitive së fundmi, për dëmtime apo për mënyrën e sjelljes. Ai është një djalë që ka potencial, por flitet shumë për të. Mua nuk më pëlqen të flas individualisht, flas për Shqipërinë e për të gjithë, nuk ka një lojtar më të fortë. Kemi bërë rezultate për meritë të skuadrës.
Për potencial mund të jetë shumë i vlefshëm, por duhet të përmirësohet shumë në sjellje. Unë i pres të gjithë, i kam krahët e hapur dhe i përqafoj të gjithë, nuk përjashtoj asnjë. Por sjelljen dhe punën për ekipin duhet ta bëjnë të gjithë. Ka dy faza, kur ke apo jo topin, unë dua lojtarë që interpretojnë njëlloj të dy fazat dhe lojtarët e dinë mentalitetin tim. Kush nuk punon për ekipin nuk mund të bëhet pjesë e këtij grupi”, tha Reja.