Politika Edith Harxhi: Bashës i është refuzuar viza nga SHBA, e dinte edhe...

Edith Harxhi: Bashës i është refuzuar viza nga SHBA, e dinte edhe për shpalljen “non grata” të Berishës

Kandidatja për kryetare të Partisë Demokratike, Edith Harxhi, ka deklaruar këtë të premte nga emisioni “Zonë e Lirë” se SHBA i ka refuzuar vizën Lulzim Bashës.

Ajo u shpreh se kjo gjë është e vërtetë pasi ka informacione dhe se Basha ka disa vite që nuk udhëton drejt Amerikës. Madje sipas Harxhit nuk do të ishte e çuditshme nëse do të ndodhte e kundërta dhe të shpallej “non grata” Lulzim Basha.

Harxhi shtoi se kryetari aktual i PD-së ka pasur dijeni për shpalljen “non grata” të Berishës.

Arian Çani: Ti je dakord me Bujar Nishanin që lëshoi një deklaratë që bëri shumë zhurmë, që reagoi dhe Basha vetë, që tha Basha e dinte që në 2019?

Edith Harxhi: Absolutisht Arian…

Arian Çani: E dinte Basha që Berisha do të shpallej “non grata” në 19 Maj?

Edith Harxhi: Po! Nuk e di për vitin 2019, por di që zoti Basha ka pasur dijeni.

Arian Çani: Siç kishte dijeni dhe Rama që ia tha. Sepse Rama i tha Berishës që “e kalon dot oqeanin”.

Edith Harxhi: Rama tha gjë tjetër. Rama tha se i janë ndaluar vizat.

Arian Çani: Ti thua se janë dy gjëra të ndryshme?

Edith Harxhi: Po! Zoti Basha vetë ka 4 vjet që nuk udhëton dot në Amerikë sepse i është refuzuar viza Arian.

Arian Çani: Është e vërtetë kjo?

Edith Harxhi: Po është e vërtetë!

Arian Çani: E ke informacion këtë apo e ke me të dëgjuar?

Edith Harxhi: Jo mo Arian e kam informacion këtë e dinë shumë njerëz.

Arian Çani: Edhe Bashës ia kanë refuzuar vizën?

Edith Harxhi: Vizën e ka të refuzuar. Si mund të bëhet kryeministër një lider opozite që nuk shkon në Amerikë përpara zgjedhjeve. A mund të ma shpjegoni? Sali Berisha në vitin 2003 pas asaj ’97 të rëndë dhe pas dërrmimit të opozitës në ’98, në 2003 vizitoi Uashingtonin. Në diplomaci, këto janë rregulla.

Arian Çani: Pyetja ime është kjo. Është e sigurt që Bashës ia kanë ndaluar vizën?

Edith Harxhi: Po!

Arian Çani: Nuk është çudi që nëse Basha nuk i bindet perandorisë ta nxjerrin dhe atë “non grata”?

Edith Harxhi: Nuk do të çuditesha. Madje unë çuditem se pse ka ndodhur e kundërta.

Arian Çani: Ti thua duhet t’ia nxirrnin Bashës dhe jo Berishës?

Edith Harxhi: Nëse i është ndaluar viza ka një arsye. Nëse Basha nuk shkon në Uashington prej disa vitesh të paktën prej 3 vite e ca, që kur bëri fotografinë me Trump, nuk është kthyer më. Që bëri fotografinë me Trump, që u hap çështja në SHBA dhe këtu në të njëjtën kohë. Ai ka tentuar disa herë për të udhëtuar mesa di unë edhe për të marrë pjesë në kongrese dhe nuk i është dhënë viza.

Arian Çani: Ti gëzohesh për këtë gjë?

Edith Harxhi: Jo nuk gëzohem sepse Basha mbi të gjitha është kryetar i PD-së dhe kjo është në dëm të PD-së.