Pjesë e rubrikës “Gjysma ime” tek E Diela Shqiptare ka qenë kandidatja për kryetare e PD-së Edith Harxhi së bashku me bashkëshortin e saj turk. Ajo si rrallë herë ka folur për jetën e saj private dhe na ka zbuluar shumë gjëra që nuk i kemi ditur më parë për të.
Një pjesë e intervistës është zhvilluar në shtëpinë e saj në fshat, një shtëpi mjaft e bukur dhe e ngrohtë e rrethuar me gjelbërim dhe shumë pemë dhe lule. Harxhi ka treguar si është njohur me bashkëshortin e saj të huaj dhe si lindi dashuria mes tyre.
Ardit Gjebrea: Si u njohët ju të dy?
Edith Harxhi: Unë isha studente në Bachelor dhe Master në atë kohë, ishte viti i dytë që bëja studimet dhe u caktova në një konvikt që ishte për studentë që ishin studentë të rritur. Aty pashë Gyvenin, në fillim fare mu duk italian. Një ditë Gyveni erdhi në apartamentin tonë të vajzave për të takuar një mikeshë të tijën dhe unë hapa derën dhe ai më foli turqisht.
Ardit Gjebrea: Pse i fole turqisht Edithit, mendove se ishte turke?
Gyven: Jo, mendova që ishte angleze.
Ata tregojnë se u prezantuan me njëri-tjetrin dhe mësuan se nga çfarë shtetesh vinin.
Ardit Gjebrea: U zhgënjeve pak se prisje italianin?
Edith Harxhi: Jo nuk u zhgënjeva, por mendova që ishte ndryshe nga ç’e parashikova, nuk e dija se si do ishte e ardhmja me një turk sepse që në momentin e parë mendova që do kishte një të ardhme me mua.
Ardit Gjebrea: Ty Gyven çfarë të pëlqeu tek Edithi?
Gyven: Gjithçka, kemi kulturë të afërt dhe është njeri i mirë.
Ardit Gjebrea: Kush e hodhi hapin i pari?
Edith Harxhi: Unë isha e para sepse ishte dashuri me shikim të parë, isha e bindur në atë që do ndërmerrja më tej, që do më vinte në tej dhe i thashë Gyvenit pse mos dalim?
Ardit Gjebrea: Disa muaj më vonë ju bashkëjetuat, pas sa muajsh?
Edith Harxhi: Afërsisht pas 8-9 muajsh.
Ardit Gjebrea: Si ishte bashkëjetesa?
Edith Harxhi: Ishte shumë e lehtë për ne të dy sepse kishim arritur në atë moment që donim të qëndronim bashkë. Duke qenë se ishim larg, unë e kisha më të lehtë për mos t’ia hapur prindërve sepse ishte shumë larg, ishte Skoci, kështu për një kohë prindërit e mi nuk e morën vesh që ishim duke bashkëjetuar, plus që edhe patën një lloj reagimi, po pse ky vendim, ku e ke gjetur këtë djalë, ndoshta ime më mendonte që unë do martohesha me ndonjë anglez, skocez në atë kohë, por më pas edhe ata u bindën.
Edithi tregon se në fillim kanë bërë dasmën në 23 Gusht të vitit 1997 dhe më pas celebrimin në Ankara. Ajo shprehet se nuk ka dashur të bëjë një dasmë të madhe sepse e kishte mendjen tek gjithçka që kishte ndodhur në Shqipëri, por prindërit e Gyvenit insistuan sepse ai është djalë i vetëm.