Edlira Gjoni, eksperte e shkencave të komunikimit, e ftuar në emisionin “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja analizoi përplasjen e kohëve të fundit mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama.
Sipas saj, kjo “nuk është përplasje kushtetuese”.
“Kam frikë se qëndron vetëm një mëri ose pazare të prishura. Pas mosdekretimeve ka ndodhur gjithmonë një diçka e fortë dhe kjo më bën të besoj se kjo krizë nuk është aq institucionale sa na shitet. Mendoj se është kokëfortësi individuale e të dyve sepse nuk ka pasur aktorë të tjerë të përfshirë”, tha Gjoni.
“Rrënja e këtyre sjelljeve janë ngjarjet anësore që ndodhin si dorëzimi i Balilit, dobësimi i LSI-së, gjë të cilën e vuan Presidenti, dhe mendoj se këto janë faktorë që ndikojnë në sjelljen e tij presidenciale. Meta po mundohet të shfrytëzojë maksimumin e pushtetit në pozicionin që ka. Edhe pse tani nuk kemi Gjykatë Kushtetuese funksionale, kjo nuk i jep të drejtën Presidentit që të “luajë” me këtë fakt”, shtoi më tej Gjoni.