“Këndi lëvizës i Trafikut”, është projekti i organizuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, në kuadër rritjes së sigurisë rrugore. Kjo nisëm ka për qëllim edukimin dhe nxitjen e fëmijëve për të pasuruar njohuritë lidhur me rregullat e trafikut rrugor.
Shkolla “Konferenca e Pezës” në Tiranë ishte ndalesa e radhës e kësaj nisme, ku nxënësit u bënë pjesë e aktiviteteve të zhvilluara. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ju bashkua këtij aktiviteti, teksa ndau me fëmijët rëndësinë që ka njohja me rregullat e qarkullimit rrugor dhe respektimi i tyre.
“Viti 2020 është shpallur viti i sigurisë rrugore dhe ne zgjodhëm shkollën “Konferenca e Pezës” për të ndarë me fëmijët të gjitha rregullat e trafikut rrugor. Duke mësuar fëmijët që në moshën e hershme me rregullat e trafikut rrugor, me ndjeshmërinë e tyre përsa i përket gjithçkaje që ndodh në rrugët e vendit, ne do të rrisim qytetarë më të mirë, qytetarë që nesër nuk do të bëjnë aksidente në rrugët e Shqipërisë, qytetarë që do të jenë të kujdesshëm kur kalojnë në semafor, apo qytetarë që do rrisin fëmijë edhe më të mirë nga këta që ne po rrisim sot”, u shpreh Balluku.
Vetë kurioziteti dhe dëshira e fëmijëve për t’u njohur sa më shumë me këto rregulla janë një shtysë e fortë që kjo nisëm të shtrihet edhe në shkollat e tjera të Tiranës, por edhe të Shqipërisë.
“Stafi pedagogjik i shkollës “Konferenca e Pezës” është një staf i shkëlqyer dhe shumë mbështetës përsa i përket këtij projekti kaq të rëndësishëm për sigurinë rrugore. Fëmijët janë shumë të interesuar dhe ndoshta klasa të tilla, jashtë shkollore, mund të zhvillohen dhe në ditët në vazhdim. Ne jemi të kënaqur nga pjesëmarrja, fëmijët ishin entuziastë, kanë kërkuar që të kenë informacione dhe më tepër përsa i përket trafikut rrugor, akseve rrugore në Republikën e Shqipërisë, por sigurisht dhe sigurisë rrugore e cila është çështje kryesore të cilën ne po trajtojmë në të gjitha shkollat e Tiranës”, nënvizoi Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, falënderoi Bashkinë e Tiranës për mbështetjen e dhënë në këtë nismë, si dhe partnerët e tjerë, Kryqi i Kuq dhe Auto Club Albania. Projekti i Sigurisë Rrugore, “Këndi lëvizës i Trafikut”, është zhvilluar më herët edhe në 5 shkolla të tjera të Tiranës ndërsa pjesë e tij janë bërë afro 600 fëmijë të grupmoshës 8 – 12 vjeç.