Edhe ai, Edy Reja, po pret që të fillojë përsëri me futbollin. Trajneri i kombëtares shqiptare fole rreth temave të ndryshme të futbollit për gazetën italiane “Corriere dello Sport”. 73-vjeçari tregoi një episod pikant me protagonist ish-sulmuesin gjerman, Miroslav Klose.
Karantinën po e kryen si gjithë të tjerët, në shtëpi: “Jam në shtëpi prej 40 ditësh, këtu në Lucinico, në Friuli, dy kilometra nga kufiri i Sllovenisë. Sot jam i lumtur, sepse më kontaktuan për të dhënë mendimin mbi kandidaturën e komunave të Gorizia dhe Nova Gorica si kryeqytetet e kulturës 2025. Është një gjë e bukur, ne jemi një zonë kufitare. Pak e dinë këtë, por mund të jetë një mundësi e shkëlqyeshme. Pranova, edhe pse thashë: Nuk e di nëse do të jem atje brenda pesë vitesh (qesh)”.
Në këtë kohë pandemie globale, është mirë të jeni në humor. Edy Reja shton: “Është një moment i komplikuar për të gjithë, për fat të mirë kam një kopsht mjaft të madh, ku dal e kaloj kohën. Po sa i madh qenka ky kopësht? Eh…, pesë mijë metra katrorë. Kujdesem për bimët, lulet, pemët e mia të preferuara”.
Edy Reja flet më pas edhe për futbollin. Këtu diskutojmë mundësinë e pesë zëvendësimeve nga një skuadër gjatë një ndeshjeje. Çfarë propozon ai? “Është diçka që duhet të bëhet. Nëse siç duket, dhe siç shpresoj, do të kthehemi të luajmë së shpejti, do të ketë shumë ndeshje të ngjeshura. Për t’u kthyer në lartësinë e duhur dhe për të garantuar intensitetin e ekipit tuaj, duhet përdorni shumë lojtarë. Nga jashtë, unë mendoj se është e drejtë të kthehemi për të luajtur sa më shpejt të jetë e mundur, sa më shpejt që kushtet shëndetësore e lejojnë, pas gjithë vizitave të nevojshme mjekësore”, – përgjigjet Reja.
Por, a nuk janë pesë zëvendësimet, vërtetim i brishtësisë së lojtarëve në një kohë të kushtëzuar nga koronavirusi? Reja sqaron: “Është e vërtetë, por për momentin është kështu. Ne jemi duke kaluar një situatë anormale, ndaj rregullorja do t’i lejojë vetes një “anomaly”. Por, në fund të fundit, pothuajse të gjitha skuadrat e Serie A kanë 20-22 elementë me nivel, plus disa djem të rinj”.
A do të përfitojnë ekipe me shumë lojtarë në këtë situatë? “Unë do të them, ato ekipe me lojtarët më të mirë. Juventusi ka dy ekipe të nivelit të lartë. Napoli, në këtë kuptim, është më në vështirësi”, – shton trajneri veteran. Reja nuk është dakord që 5 zëvendësimet të mbeten në fuqi edhe në situatë normale: “Jo. Unë mendoj se tri zëvendësime gjatë një ndeshjeje janë të mjaftueshme. Pesë ndryshimet janë në rregull tani, për urgjencën”.
Dhe të mendosh që ky propozim vjen nga njeriu që, kur debutoi vetë në Serie A, në vitin 1963, zëvendësimet nuk ekzistonin. Kurioziteti i fundit: a ka refuzuar ndonjëherë, ndonjë nga lojtarët e tij, që të hyjë në fushë si zëvendësues? “Më lini të mendohem pak… Po, Klose dikur më shikoi shtrembër (me inat), nuk donte të futej në lojë. Mungonin edhe disa minuta deri në përfundim të ndeshjes dhe kisha nevojë t’i jepja frymëmarrje një shoku të tij, që mezi po qëndronte në këmbë. Më pa në një mënyrë të tillë, sikur donte të thoshte: Unë nuk futem për vetëm dy minuta. Edhe unë e pashë, sikur po i thoja: do të futesh që ç’ke me të! Sigurisht që u fut”.