Ekonomi Efektet e koronavirusit; Bien shitjet e birrës “Corona”, 38% e amerikanëve nuk...

Efektet e koronavirusit; Bien shitjet e birrës “Corona”, 38% e amerikanëve nuk do ta blinin kurrë

Kompania që prodhon birrën e famshme “Corona” ka pësuar tremujorin e fundit humbjet më të mëdha në 10 vite, pas përhapjes së koronavirusit në të gjithë botën.

“Anheuser-Busch In Bev” ka në pronësi disa prej birrave më të famshme në botë, si “Corona” “Budëeiser”, “Stella Artois” dhe “Beck’s”. Por në muajt e fundit kompania ka arkëtuar 170 milionë dollarë më pak në Kinë, pikërisht në një kohë kur priste rritje të shitjeve për shkak të Vitit të Ri kinez.

Por, pavarësisht ngjashmërisë së emrit me virusin Covic-19, CEO Carlos Brito tha për mediat amerikane se rënia e shitjeve ka ardhur për shkak se njerëzit nuk kanë dalë më në publik, për të festuar.

Edhe pse në SHBA, tregun kryesor të birrës “Corona”, kjo rënie nuk është ndjerë, dhe kompania po bëhej gati për të hedhur në treg disa produkte të reja, anketimet te publiku konfirmuan se është një periudhë jo fort e mirë.

CNN raporton se në sondazhin e realizuar nga “5W Public Relations”, 38% e amerikanëve kanë thënë se nuk do të blinin kurrë një “Corona” për shkak të përhapjes së koronavirusit, ndërsa 14% të tjerë kanë thënë se nuk do ta porosisnin kurrë në publik.

Gjatë muajit shkurt, kërkimet në internet me togfjalëshin “corona beer virus” u rritën në mënyrë të ndjeshme, por prej disa ditësh kanë rënë. Numri i të infektuarve me koronavirus në botë është për momentin 83577, rreth 3000 kanë humbur jetën, por mbi 30000 janë shëruar.